Klosi në SHBA: Për refugjatët, koordinim me Bashkimin Europian

25/03/2016 20:25

Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara, ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi u prit në takim nga drejtori  i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore, Tom Yazdgerdi.

Zoti Yazdgerdi përshëndeti reformat e ndërmarra nga Ministria e Mirëqenies Sociale për mbrojtjen  e shtresave në nevojë, komunitetin rom, politikat rinore dhe barazinë gjinore.

Sipas një njoftimi për shtyp nga ministria, nga zyrtari amerikan Shqipëria u cilësua histori suksesi për respektimin e kuotave gjinore, e konstatuar kjo në një pjesë të konsiderueshme të institucioneve vendimmarrëse.

Yazdgerdi vlerësoi gjithashtu rolin e lidershipit rajonal të Shqipërisë në fushën e rinisë, sikundër vëmendjen e shtuar ndaj shtresës së ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist.

Në takim u diskutua edhe kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, që prej disa muajsh ka përfshirë edhe Ballkanin. Ministri Klosi deklaroi se Shqipëria as nuk i hap e as nuk i mbyll kufijtë, por është në koordinim të plotë dhe në të njëjtën linjë me Bashkimin Evropian.

Në Departamentin e Shtetit, ministri Klosi u takua edhe me zëvendës ndihmës sekretarin për të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Punën, Phil Kaplan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA