Parlament, pr/ligjet miratohen nën zhurmën e opozitës

24/03/2016 00:00

Ka zgjatur vetëm 60 minuta seanca e sotme në Kuvend, ku projektligjet e parashikuara në rendin e ditës janë miratuar nën zhurmën e opozitës.

Më herët opozita bëri të ditur qëndrimin e saj se nuk do të lejonte zhvillimin e seancës nëse nuk dërgohej me forcën e kartonit në Gjykatën Kushtetuese deputetët Rakip Suli dhe Valentina Leskaj.

Idrizi: Varrezat e ushtarëve grekë, nëse ngrihen ato çame në Igumenicë

Varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri do të ngrihen nëse ngrihen ato çame në Igumenicë. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi foli në Kuvend lidhur me vizitën e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në Greqi.

Idrizi tha se ministri nuk foli drejt për drejtë për çështjen çame, teksa tha se do të marrë të gjitha masat për moslejimin e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, qoftë dhe ato ligjore.

“Në këto kushte unë kërkoj mirëkuptimin tuaj por dua të them vëtëm një gjë. Kemi kërkuar të ngrihen varrezat e shqiptarëve të Çamërisë të vrarë nga terrori e nga bandat e kolonel Zervës. Në Igumenicë ndodhet një përmendore e Zervës. Në këto kushte nëse nuk ngrihen varrezat do të marrim të gjithë masat për moslejmine varrezave të usharëve grekë në Shqipëri”, tha z. Idrizi.

Opozita në Kuvend: Suli dhe Leskaj në Kushtetuese

Edhe pas pushimit 5 minutësh seanca plenare është shoqëruar me tension, ku opozita këmbëngul në dërgimin në Gjykatën Kushtetuese edhe të dy deputetëve të tjera, Rakip Suli dhe Valentina Leskaj.

“Të zbatohet menjëherë vendimi për Gjykatën Kushtetuese të dy deputetët, zoti Suli që e ka kërkuar vetë, dhe zonja Leskaj. Çuat Koçon, çoni dhe dy të tjetrët t’i vendosë gjykata. Nëse Gjykata i nxjerr të pafajshëm, i kërkojmë falje, por tua fshehim deputetët me forcën e kartonit është grusht shteti dhe në këtë formë ky Parlament nuk vazhdon punën e vet”, deklaroi deputeti Eduard Halimi.

Kuvendi më pas vijoi me rendin e ditës, në diskutimin e projektligjit për pajisjet nën presion, ndërsa opozita ka vijuar t’u bjerë tavolinave duke kërkuar mosvazhdimin e seancës deri në plotësimin e kushteve që kërkojnë.

Opozita në foltoren e Kuvendit, Halimi:Të largohen deputetët që përfituan fonde publike

Seanca parlamentare ka nisur me një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmeve terroriste në Bruksel. Më pas, deputeti demokrat Eduard Halimi ka mbajtur dhe qëndrimin e opozitës në Parlament, ku akuzoi se kryeministri ka bërë një grusht kushtetues.

Ai tha se në Parlament ka persona të inkriminuar të cilët mbrohen nga kryeministri, ndërsa shprehu vendosmërinë e opozitës për të larguar deputetët që dyshohet se kanë përfituar fonde publike.

“Në këto kushte opozita dhe gjithë qytetarët janë të vendosur se ky Parlament nuk mund të vazhdojë funksionin e vet pa larguar dhe pa iu dorëzuar drejtësisë deputetët që dyshohen se kanë përfituar fonde publike dhe pa zbatuar gërmë më gërmë ccdo vendim i Gjykatës Kushtetuese”, tha deputeti Halimi.

Për shkak të tensionit në sallë mes deputetëve të opozitës dhe deputetit Rakip Suli, kreu i Kuvendit, Ilir Meta kërkoi 5 minuta pushim.

Berisha: Të shkrihet Parlamenti. Presidenti të veprojë

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka sugjeruar presidentit Bujar Nishani të marrë të gjitha masat për të shprehur qëndrimin e tij ndaj asaj që e quajti “grusht kushtetues”. Në përfundim të seancës parlamentare, Berisha ka kërkuar shkrirjen e Parlamentit dhe për këtë i ka kërkuar konsultim grupit parlamentar demokrat.

“Presidenti i Republikës nuk ka prerogativa kushtetuese. Në Kushtetuta të tjera presidenti është përmbaruesi i vendimit të Gjykatës Kushtetutese, kjo nuk ekziston në Kushtetutën tonë. Por presidenti duhet të konsultohet gjerësisht me të gjithë juristët më të mirë të vendit për të shprehur qëndrimin ndaj këtij akti antikushtetues. Në këto kushte Parlamenti meriton vetëm një qëndrim, shkrirjen e menjëhershme të tij”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, në kushtet kur Parlamenti ka konsumuar aktin më të rëndë kushtetues, “grushtin e shtetit”, ai nuk meriton të ekzistojë më. “E ftoj opozitën të marrë të gjitha vendimet, sepse një situatë e tillë është kazmë në themelet e shtetit. Imagjinoni ju se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta pushtetarë kur shkelmojnë vendimet e asaj gjykate, që në të drejtën kushtetuese janë të barabarta me normat kushtetuese”, ka thënë Berisha.

Ai ka shtuar më tej se opozita do të vazhdojë t’i qëndrojë vendimit të saj për protesta qytetare. “Këtë parlament mund ta shkrijnë vetëm qytetarët shqiptarë, e shkrin vetëm sovrani”, ka shtuar ai.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel