Meta, vizitë në Krushë të Madhe; përkujton 17-vjetorin e masakrës

24/03/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në fshatin Krushë të Madhe të Kosovës, për të përkujtuar 17-vjetorin e masakrës ndaj popullsisë së pafajshme.

Në këtë vizitë, Meta shoqërohej nga ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi dhe nga autoritetet më të larta lokale. Në hyrje të fshatit, Meta u prit nga qindra qytetarë dhe nxënës shkollash.

Ai vizitoi shkollën e mesme “Ukshin Hoti”, ku u prit përzemërsisht edhe nga mësuesit. Gjatë bashkëbisedimit, drejtuesit dhe mësuesit e kësaj shkolle informuan zotin Meta mbi kushtet e mësimdhënies dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit arsimor.

Duke vlerësuar figurën e patriotit Ukshin Hoti, Meta theksoi rëndësinë e arsimit për një shoqëri më të hapur dhe më të zhvilluar.

“Shpreh kënaqësinë e veçantë edhe nderin që të jem në Krushë dhe në këtë shkollë që mban një emër shumë të madh, jo vetëm për popullin e Krushës e të Kosovës, por edhe për gjithë shqiptarët kudo ku janë”, tha Meta.

Duke kujtuar se ndodhet këtu në prag të përvjetorit të masakrës së Krushës, kryetari i Kuvendit vlerësoi se ky fshat ishte i pari që vuajti hakmarrjen e okupatorit pas fillimit të bombardimeve nga ana e NATO-s, më 24 mars.

“Një hakmarrje që e pësuan edhe fëmijët e Krushës, përveçse edhe vetë Ukshin Hoti. Duke nderuar atë vepër patriotike, historike të Ukshin Hotit dhe të gjithë popullit të Krushës, jemi të kënaqur që takojmë këta fëmijë, të cilët shikojnë drejt së ardhmes, të cilët mësojnë për të ardhmen dhe përgatiten për të ardhmen”, deklaroi Meta.

Top Channel