LSI vlerëson konsensusin, Vasili: Rëndësi ka pakti, jo nga erdhi presioni

24/03/2016 15:20

Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet konsensusin e arritur për reformën në drejtësi, si një mënyrë që garanton jetëgjatësi dhe soliditet të saj.

“Venecia është prind me opinionin e saj, me referncat që ajo ka dhënë, me mjaft elementë të reformës dhe njëkohësisht konsensualiteti. Konsensualiteti ka lindur si një pakënqësi e madhe e një shumice shqiptarësh ndaj drejtësisë, e cila ka qenë shumë më e madhe se shumica qeverisëse dhe shumë më e madhe se opozita. Pra, do të thotë se shqiptarët në tërsi kanë qenë të shqetësuar dhe të pakënaqur. Këtij shqetësimi masiv i jep përgjigje një zgjidhje konsensuale”, deklaron kryetari i grupit parlamentar, Petrit Vasili.

Për Vasilin, nuk është i rëndësishëm fakti nga erdhi trysnia që detyroi dy partitë e mëdha të gjejnë gjuhën e përbashkët, por rezultati që u arrit.

“Pra, të gjithë e kuptojnë që duhet të japin mirëkuptim, të lëshojnë diçka nga llogoret nga bastionet dhe në emër të së mirës së përgjithshme të gjejnë mirëkuptimin. Dhe se kush kontribuon, ndërgjegjja e lartë politike, presioni i madh popullor që do një zgjidhje, apo presioni pozitiv i ndërkombëtarëve, të gjitha kanë pjesën e tyre. Por rëndësi ka që rezultati është se kemi mirëkuptim. Pra, politika gjithmonë e më shumë tregon pjekuri dhe përgjegjshmëri, kjo mbetet në fund të të gjithë procesit”, thotë Vasili.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se në çdo çështje palët duhet të dakordësohen përsa kohë qëndrimet politike janë të ndryshme, por sa i takon çështjeve të rëndësishme, Vasili është i qartë.

“Të mos humbasim më kohë kaq të gjata për të vajtur tek konsensualiteti për çështje të cilat kanë rëndësi madhore për gjithë vendin, por t’i shkurtojmë këto kohë”, rekomandon Vasili.

Top Channel