Ja si e kujtojnë bomberin Cruyff

24/03/2016 00:00

Bota e futbollit u trondit këtë të enjte me vdekjen e papritur të një prej protagonistëve që kanë shkruar historinë e topit. Johan Cruyff nuk është më, por emri i tij do të mbetet i përjetshëm për atë që i ka dhënë futbollit.

Me qindra personazhe të njohur kanë shprehur vlerësimin e tyre për legjendën holandeze që vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, ndërsa dalin në dritë edhe shumë iniciativa të ndryshme të simbolit “tulipan”.

Johan Cruyff dhe fondacioni i krijuar prej tij kanë hapur mbi 200 fusha futbolli në mbarë globin dhe të gjithë ata të rinj që zbarkojnë në këto fusha, gjejnë gjithmonë një tabelë me 14 rregulla, po aq sa numri emblematik i fanellës që mbante holandezi.

14 rregulla për t’u bërë një sportist i vërtetë, por jo domosdoshmërisht kampion dhe për këtë, rrugën e tregon ende Johan Cruyff. Kurajo, respekti dhe kreativiteti janë vetëm disa nga imponimet e holandezit për futbollin modern.
 
Bekenbauer e cilëson një vëlla që e humbi papritur ndërsa Platini e quan heroin e fëmijërisë dhe më të madhin ndonjëherë në historinë e futbollit. Dikush tjetër e quante të pamarkueshëm dhe fakti që fitoi thuajse gjithçka, i jep të drejtë çdo superlativë për Johan Cruyff.

Kampioni holandez mori 3 “Topa të Artë”, një Kupë kampionësh dhe një Kupë interkontinentale dhe bashkë me Pele dhe Maradonën, formon trion e më të mëdhenjve të futbollit mes viteve ’60-të dhe ’80-të.

Futbolli qan për një kampion brenda dhe jashtë fushës, asnjëherë banal dhe plot shpresë për lojën e bukur, një Johan Cruyff për të cilin mendimet që jepte, i quanin vendime përfundimtare mbi sferën që dominon sportin.

Top Channel