Klosi: Reformat, nën vëzhgimin e BB. Shqipëria, mungesë profesionistësh

23/03/2016 00:00

Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi ndodhet në SHBA për të diskutuar me zyrtarë të lartë në lidhje me tre reforma të rëndësishme që lidhen me ndihmën për shtresat në nevojë dhe pensionet.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ka deklaruar se reformat kanë qenë nën vëzhgimin e plotë të Bankës Botërore.

“Janë bërë shumë përpjekje, si nga qeverisja qendrore edhe nga ajo lokale. Kemi bërë diçka, por kemi shumë për të bërë. Ndodhem këtu për t’u takuar me zyrtarë të lartë të SHBA për këto reforma, që kanë të bëjnë me njerëzit në nevojë për ndihmat ekonomike, për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe atë të pensioneve, të treja të ndjekura nga përfaqësues të Bankës Botërore. Në takimet e zhvilluara në Nju Jork shprehëm gjithashtu se në Shqipëri ka shumë përpjekje për të shtuar barazinë gjinore”, deklaroi Klosi.

Klosi u shpreh se, qeveria do të vazhdojë të insistojë në arsimin profesional, duke deklaruar se në Shqipëri ka treg por nuk ka profesionistë.

“Ajo që ne po ndërmarrim me shumë forcë është krijimi i kushteve në Shqipëri për më shumë biznese dhe rrjedhimisht më shumë vende të reja pune. Por është edhe një problematikë shumë e rëndësishme që po evidentohet gjithnjë e më shumë në Shqipëri, edukimi profesional. Për këtë do të diskutoj edhe nesër në Uashington. Atë që po bëjmë me shumë forcë është rikthimi i diplomave të vlefshme për qytetarët shqiptarë. Në Shqipëri ne ballafaqohemi me një handikap shumë të çuditshëm, që ka shumë vende të reja pune që ofrohen nga biznesi, por pak profesionistë. Shqipëria ka dalë nga tregu i punës së lirë dhe tani kërkohen punonjës me diploma”, tha Klosi.

Top Channel