Basha takon drejtorin ekzekutiv të BB-së për Shqipërinë

23/03/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë vizitës në SHBA u takua me drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë, Patrizio Pagano.

Në bashkëbisedimin me zotin Pagano, zoti Basha shprehu shqetësimin për rritjen e borxhit, rënien në minimumin e mundshëm të konsumit, falimentimin e mijëra bizneseve të vogla si pasojë e politikave të ndjekura nga qeveria dhe arbitraritetit të saj, koncesioneve korruptive etj.

Koncesionet korruptive, theksoi Basha, po vendosin një kosto shumë të rëndë në buxhetin e shtetit dhe po angazhojnë burime financiare si në fushën e shëndetësisë një fond prej 338 milionw eurosh, ndërsa janë përgatitur për të dhënë me koncesion mbledhjen e TVSH-së, ku koncesionari parashikohet të marrë 140 milionë euro në 10 vitet në vijim.

Shqipëria, tha Basha, është vendi me taksat më të larta në rajon, çka ka bërë që investitorët e huaj të mos e shohin me interes Shqipërinë, madje shumë prej tyre janë larguar nga vendi. Zoti Basha e ka njohur zotin Pagano dhe me ofertën e Partisë Demokratike për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për t’i hapur rrugën zhvillimit dhe punësimit. Taksë e sheshtë 9%, TVSH 15%, vëmendje të veçantë ndaj sektorit të bujqësisë.

Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore ka vlerësuar faktin që opozita ka një platformë konkrete për të adresuar çështje të zhvillimit ekononomik të vendit.

Top Channel