
Ngjarjet e Brukselit i kanë kaluar kufijtë e Europës. Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut po monitoron me vëmendje situatën në Belgjikë dhe është në kontakt me homologët e saj europianë dhe FBI-në.
Sipas gazetës së NYPD, departamenti ka vënë në punë njësi operative shtesë përgjatë gjithë qytetit, përfshirë këtu Komandën e Reagimit Kundër Terrorizmit, Grupin e Reagimeve Strategjike dhe Grupet Hercules.
Skuadrat në fjalë janë vendosur në zonat e populluara të Nju Jorkut dhe në lokalitetet tranzitore përreth qytetit, për të garantuar sigurinë.
“Për momentin nuk ka ndonjë të dhënë që të tregojë se sulmet në Bruksel kanë ndonjë lidhje me Nju Jorkun, por ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër situatën në Belgjikë, bashkë me Task Forcën kundër Terrorizmit dhe FBI-në, duke koordinuar forcat”, njofton NYPDNews.
Në edicionin e saj online, gazeta vë në dukje se, sulmet në Bruksel vijnë në një kohë kur qeveria federale ka vendosur të shkurtojë me 90 milionë dollarë fondet kundër terrorizmit për Departamentin.
“Çdo shkurtim fondesh për Nju Jorkun, që njihet botërisht si shënjestra kryesore e terroristëve në Shtetet e Bashkuara, do të ishte një veprim i papërgjegjshëm”, vlerëson gazeta.
Top Channel