Romë, gatishmëri maksimale në Fiumicino. Alarm fals për një valixhe

22/03/2016 00:00

Pas sulmeve terroriste në Bruksel, në gjendje maksimale alarmi është vendosur edhe Aeroporti i Fiumicinos në Romë. Vetëm pak pas orës 16 u dha alarmi, që më pas rezultoi i rremë, për një valixhe të zezë të braktisur pranë njërit prej lokaleve në brendësi të “Terminalit 3”, i cili u mbyll për rreth 10 minuta.

Valixhja u hodh në erë me shpërthim të kontrolluar. Në vendngjarje mbërritën edhe zjarrfikësit, karabinierët dhe policia me qentë antieksploziv, teksa janë larguar pasagjerët nga zona e rrethuar.

Niveli i sigurisë në “Leonardo Da Vinci”, tashmë në nivele të larta siç ndodhi pas sulmeve terroriste në Paris, u rrit gjithashtu. U intensifikuan kontrollet e pasagjerëve në portat e sigurisë, teksa është shtuar numri i personave vigjilentë në pikat e kontrolleve “check in”. Të shumtë kanë qenë edhe agjentët përpara bankave dhe zyrave të kompanive ajrore.

Të gjitha fluturimet nga dhe drejt Brukselit janë anuluar dhe ishin plot 7 të tillë të planifikuar gjatë ditës së sotme. Gjithsesi, janë lejuar të zbresin vetëm dy avionë, njëri nga “Brussels Airlines” në 6 e 35 të mëngjesit, si dhe një i “Ryanair” i orës 7 e 20 të mëngjesit. “Alitalia” njoftoi gjithashtu se asnjë avion i kësaj kompanie nuk ishte i pranishëm në Aeroportin e Zaventem, ku ndodhi njëri prej shpërthimeve.

Por kontrollet nuk ndalen me kaq. Më të ashpra dhe të rrepta kanë qenë ato në “Terminalin 5” të pasagjerëve, nga ku nisen fluturimet e linjave ajrore amerikane, si dhe disa të tjera që konsiderohen aktualisht nën rrezik.

Top Channel