PE, rezoluta për Shqipërinë: Përparim me reformat, problem korrupsioni

22/03/2016 16:35

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian ka miratuar rezolutën për Shqipërinë, ku thuhet se vendi ynë ka bërë përparim me reformat kyçe, por duhet ende punë.

Rezoluta për Shqipërinë thotë se, nëse vendi ynë dëshiron të nisë negociatat për në Bashkimin Evropian, duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kyçe, si drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe në administratën publike dhe të drejtat themelore.

“Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian mbetet i shqetësuar për zgjerimin e korrupsionit në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe disa fusha të tjera. Shqetësim përbën edhe përhapja e vetëcensurës mes gazetarëve, të cilët ka raste që edhe pengohen fizikisht për ndjekjen e ngjarjeve specifike, sulmohen ose kërcënohen për shkak të punës së tyre”, lexohet në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian.

Rezoluta mirëpret angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër radikalizmit dhe terrorizmit dhe përshëndet vendin tonë për marrjen e masave për të parandaluar njerëzit që t’i bashkohen ISIS-it në Irak dhe Siri.

Rezoluta për Shqipërinë është aprovuar 47 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenime.

Top Channel