Orët para reformës. Halimi: Jo kushte, por as tërheqje

22/03/2016 20:00

“Unë parashikoj që nesër të gjejmë zgjidhje duke u bazuar tek Komisioni i Venecias, duke hequr komponentët e kapjes politike. Dhe unë për këtë gjë, të them të drejtën,  jam optimist”.

Kjo është hera e parë që demokratët shprehin optimizëm për reformën në drejtësi. Por, një ditë para nisjes së punës së komisionit, Eduard Halimi thotë se PD-ja nuk heq dorë nga 10 çështjet e ngritura më herët nga opozita. Thelbi? Këshilli i Emërimeve.

“Është ndërtuar në mënyrë selektive dhe me hile. Diku është vendosur gjyqtari më i vjetër në detyrë, diku është vendosur anëtari më i vjetër në moshë, kritere selektive që të çonin në emra të lidhur me PS-në, që të çojnë detyrimisht tek kapja”, u shpreh Halimi.

Megjithatë, duket se pas marrëveshjes për të dialoguar, fjalori i opozitës ka ndryshuar: “Nuk po themi se janë 10 kushte dhe po të mos vendoset kështu, bëhet nami. Ne po themi këto janë 10 çështje që ne pranojmë të dialogojmë”.

Dy ditët e dialogut politik do të zhvillohen me dyer të mbyllura, me shpresën se do të finalizohet me një marrëveshje më të madhe sesa thjesht ulja në një tryezë.

Top Channel