
Sulmet terroriste në Bruksel kanë vënë në alarm edhe Italinë. Në aeroportin Fiumicino të Romës niveli i rrezikut është rritur në maksimum.
E njëjta situatë është edhe në aeroportin tjetër Leonardo da Vinci, ku masat e sigurisë ishin rritur që prej sulmeve terroriste në Paris.
Kontrollet e pasagjerëve dhe kordonët e sigurisë janë shtuar dhe është rritur ndërkohë numri i rojeve tek check in-et.
Gjithashtu, autoritetet kanë anuluar të gjitha fluturimet për në Bruksel, që për këtë të martë ishin parashikuar 7.
Kompania e fluturimeve “Alitalia” ka bërë të ditur se, asnjë nga avionët e saj nuk ndodhet në aeroportin Zaventem, ku u verifikuan dy shpërthime.
Ndërkohë, në qytet, Kuestura e Romës ka vendosur përforcimin e sigurisë në të gjitha pikat e konsideruara të rëndësishme, si stacionet e metrove dhe ato hekurudhore.
Gjithashtu, është rritur prania e rojeve të sigurisë në Ambasadën e Belgjikës në Romë dhe në të gjitha rezidencat e institutet diplomatike e kulturore belge.
Plani i masave ka përfshirë edhe selinë e shenjtë të Vatikanit, duke pasur parasysh sfondin islamik të sulmeve terroriste.
Top Channel