“Gjiro Open Air” mirëpriti 60 sportistë nga Ballkani

22/03/2016 00:00

60 pilotë nga Ballkani morën pjesë në eventin më të madh të organizuar ndonjëherë në Shqipëri në disiplinën “cross country”, “Gjiro Open Air”.

Gara që nisi nga mali i Çajupit përballë Gjirokastrës ishte në distancë 38 kilometra nga pikëmbërritja. Moti dhe rrymat e ajrit e favorizuan teknikisht garën ndërsa edhe pjesëmarrësit vinin nga klube profesionistësh.

“Gjirokastra vërtetoi edhe njëherë që është një nga vendet më të mira në Shqipëri për zhvillimin e aktiviteteve të tilla dhe urojmë që në vitet në vijim kjo mbështetje të vazhdojë të fuqizohet që edhe ne të ofrojmë, si nga ana teknike por edhe nga anë të tjera si njerëzore, turistike, maksimumet tona”, deklaroi Renis Tërshana, president i Federatës së Aeronautikës.

Artion Vreto, sekretari i Federatës së Aeronautikës, tha se eventi i tejkaloi pritshmëritë e tij dhe se ishte një ndër kontributet më atraktive edhe për turizmin në Gjirokastër.

“Është e disata herë që ne organizuam garën e ‘cross country’ në Gjirokastër, por në fakt doli jashtë pritshmërive tona. Mendonim se do të ishim rreth 40 pilotë dhe pjesëmarrja ishte tejet e madhe nga i gjithë Ballkani dhe Gjirokastra i priti 60 pilotë dhe realizuam një garë vërtetë të shkëlqyer”, tha Vreto

Kamponati ndërkombëtar “Gjiro Open Air” u fitua nga Ardall Celina. Vendi i dytë shkoi për Jovan Severov dhe vendi i tretë për Berat Bejtullahun e Zlatko Spirkovski.

Top Channel