Ekspertët: Sulmet, të përgatitura herët. Jo hakmarrje për arrestimet e fundit

22/03/2016 00:00

Vënia e tyre në jetë tingëlloi që në fillim si shpagim ndaj prangosjes së Salah Abdeslamit, por menaxheri i Qendrës për Terrorizmin dhe Rebelimin “IHS Jane’s”, Matthew Henman mendon se sulmet e Brukselit mund të jenë planifikuar që përpara arrestimit dramatik të njeriut më të kërkuar të Europës.

“Sulme të këtyre përmasave zakonisht kërkojnë më shumë se 3-4 ditë për t’u përgatitur, sidomos kur duket qartë që kanë qenë të koordinuara, siç ishin shpërthimet në aeroportet e më pas në metro. Njohja e terrenit, bashkërendimi, përgatitja për episode të tilla mund të kërkojë edhe javë të tëra kohë. Mbase komploti ekzistonte që përpara, por zbatimi i tij u përshpejtua pas ndalimit të Abdeslamit”, tha Matthew Henman, mexhaner i “IHS Jane’s”.

Por a mund të ishte parandaluar mekanizmi i terrorit në këtë rast?

“Për mua, ky nuk është thjesht rasti i një dështimi të sigurisë. Më shumë duhet parë si tregues i sfidës së vërtetë, me të cilën përballen sot shërbimet e sigurisë anembanë Europës, sa i takon parandalimit të episodeve të ngjashme. Është e qartë se, kemi të bëjmë me një rrjet tepër të sofistikuar, të gatshëm të prodhojë jo vetëm sulme individuale si këto të fundit, por edhe të ndërmarrë sulme më madhore, që mund të përbëjnë sfida edhe më të vështira për shërbimet e sigurisë”, tha Matthew Henman.

Një ditë më parë, avokati mbrojtës i Abdeslamit deklaroi se, ai ishte një minierë ari për hetuesit belgë, pasi po bashkëpunon me ta, duke hequr dorë nga e drejta për të qëndruar në heshtje.

Top Channel