Bota dënon terrorin, faqet “online” të xhihadistëve: Kjo është përgjigjja e ISIS-it

22/03/2016 00:00

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini ishte ndër të parat, që reagoi pas zhvillimeve dramatike në Bruksel, duke e cilësuar këtë të sotmen “një ditë të trishtuar për Europën”. Komentet e saj, kryediplomatja e BE-së i bëri nga kryeqyteti i Jordanisë, Aman, ku ndodhet për një vizitë pune.

“Po presim ende të dhëna më të detajuara mbi dinamikën e sulmeve në Bruksel, por tashmë është e qartë se, rrënjët e dhimbjes që jemi duke përjetuar sot në mbarë rajonin tonë, janë pak a shumë të njëjtat. Ne jemi të bashkuar jo vetëm në dhimbjen që ndajmë për viktimat tona, por edhe në reagimin ndaj akteve të tilla dhe parandalimin e dhunës dhe radikalizimit”, tha Federica Mogherini.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri i Jashtëm i Jordanisë, Nasser Judeh i dënoi sulmet si “akte kriminale dhe terroriste”. Vet kryeministri belg, Charles Michel e konsideron këtë një  “moment të errët” për vendin e tij.

Shefi i diplomacisë britanike, Philip Hammond sqaroi se, Londra është në kontakt me autoritetet belge dhe se do t’u japë çdo lloj ndihme që të mundet. “Po e ndjekim me kujdes situatën”, ishte pohimi i tij, ndërsa kreu i ekzekutivit David Cameron kërkoi një mbledhje urgjente për të diskutuar mbi mënyrat e reagimit ndaj krizës.

Fill pas ngjarjes, policia britanike shtoi praninë e saj në zonat kyçe anembanë vendit, përfshirë nyjet e transportit. Masat e sigurisë po përforcohen edhe në Itali. Holanda shtoi numrin e patrullave në aeroporte e rriti nivelin e kontrolleve në kufi. Siguria në Gjermani është forcuar po ashtu, ndërsa kufiri mes Belgjikës dhe Francës u mbyll krejtësisht.

“Terrori goditi Belgjikën, – deklaroi shefi i “Elizesë” Francois Hollande. – Shënjestra e tyre ishte Europa, ama shqetësimin e përjeton e gjithë bota”.

Por rikthimi i makthit terrorist në Europë dhe paralizimi i jetës në Bruksel ka ekzaltuar, nga ana tjetër, faqet “online” xhihadiste e jo vetëm. Në rrjetet sociale nuk munguan komentet përshëndetëse për dhunën që shokoi Europën.

“Inkursioni në Bruksel është i mrekullueshëm”, shkruan në Twitter, Karim Abdul Salam. “Kjo është përgjigjja e ISIS-it për kapjen e Salahut”, vazhdon një tjetër. Ndërsa një i tretë shprehet: “Luanët e Brukselit ju thonë: o lironi Salahun, ose këto punë do të keni nga Shteti Islamik”.

Mbrëmjen e sotme, kulla “Eiffel” do të ndriçohet me ngjyrat e flamurit kombëtar belg në shenjë solidariteti me viktimat e sulmeve të Brukselit. “Europa u godit në zemrën e saj”, tha kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo. “Edhe një herë, në shënjestër u vunë vlerat tona themelore: liria, humanizmi, toleranca dhe angazhimi ynë i palëkundur për demokracinë”.

REAGIME TË TJERA

Politikanë dhe liderë botërore reaguan menjëherë për sulmet terroriste në Bruksel, duke shprehur solidaritetin e tyre dhe duke dënuar sulmin, që la të vrarë disa persona.

“Shpreh solidaritetin tim të plotë me popullin belg. Me sulmet e Brukselit, është goditur e gjithë Europa”, tha presidenti francez, Francois Hollande.

“Jam i shokuar dhe i shqetësuar për ngjarjet e Brukselit. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të ndihmuar”, ka shkruar në Twitter kryeministri britanik, David Cameron.

“I dënoj ashpër këto sulme të urryeshme. Ngushëllimet tona për viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër terrorizmit”, është shprehur kryeministri belg, Charles Michel.

“Belgjika është goditur sërish nga sulmet frikacake dhe vrasëse. Ngushëllimet tona për viktimat dhe familjet e tyre dhe Hollanda është gati për fqinjët e saj jugorë, në çdo mënyrë, dhe duke ofruar ndihmë”, ka thënë kryeministri i Hollandës, Mark Rutte.

“Greqia është solidare me qytetaërt e Belgjikës dhe BE-së. Ne nuk lejojmë që frika, urrejtja fetare dhe racizmi të mbizotërojë në Europë”, është shprehur kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras.

“Ngushëllimet e mia për familjet dhe viktimat, dhe solidaritet me popullin belg, pasi kur terrori godet, na godet të gjithëve”, është shprehur kryeministri spanjoll Marian Rajoy.

Top Channel