Aksidenti i “FlyDubai”, kutitë e zeza të dëmtuara

22/03/2016 00:00

Ekspertët e aviacionit thonë se regjistruesit e fluturimit të avionit të rrëzuar në qytetin jugor rus, Rostov on Don, janë dëmtuar rëndë në aksident.

Ata mendojnë se ka pak gjasa që regjistruesi i zërit në kabinë dhe ai i të dhënave të fluturimit të avionit të “FlyDubait”, të japin informacione të vlefshme. Rregullatori i trafikut ajror rus thotë se do të duhet deri në një muaj kohë për të çkoduar informacionet.

Boingu 737-800 u rrëzua të shtunën ndërsa po ulej në pistë. Të 55 pasagjerët dhe shtatë pjesëtarët e ekuipazhit humbën jetën. 45 nga viktimat ishin shtetas rusë. Ndërkohë që mes tyre kishte edhe nëntë persona me shtetësi të ndryshme.

Ekspertët në vendngjarje thanë se nuk ishin në gjendje akoma që të shpjegonin dinamikën. Hetuesit kanë folur me rreth 40 persona, mes të cilëve kontrollorë të trafikut ajror, parashikues të motit dhe përfaqësues të kompanisë “FlyDubai”.

Një hetim kriminal ka nisur për shkaqet e aksidentit. Mendohet se avioni hoqi dorë nga përpjekja e parë e tij për t’u ulur në pistë dhe fluturoi në formë rrethore për dy orë.

Në përpjekjen e dytë për t’u ulur, ai u përplas në pistë. Mes shkaqeve të mundshme të aksidentit që po merren në konsideratë nga hetuesit, janë era e fortë, shikueshmëria e dobët, një defekt teknik ose një gabim i pilotit.

Sipas kompanisë “FlyDubai”, piloti nga Qipro dhe ndihmësi i tij nga Spanja, kishin thuajse 6 mijë orë eksperiencë fluturimi.

Top Channel