Vizita në Athinë, Bushati: Ligji i luftës, formalitet. U ngrit çështja çame

21/03/2016 19:40

Greqia dhe Shqipëria kanë rënë dakord që ligji i luftës mes dy vendeve është një çështje e tejkaluar, edhe pse ende ka mbetur akti formal për ta shfuqizuar. Kjo u deklarua në Athinë, pas takimit të dy ministrave të Jashtëm, Kotzias dhe Bushati.

Për ato që u cilësuan si çështjet më të nxehta të bisedimeve me zyrtarët më të lartë grekë, si ligji i luftës, çështja çame apo edhe marrëveshja e detit, shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, foli në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Athina, në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel.

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë: Do të duhet që të mbyllet edhe në planin formal për të pastruar kësisoji të gjithë pengesat që ekzistojnë dhe për të hequr pengesa të karakterit ligjor. Ka dakordësi për nevojën për t’u hequr ligji i luftës dhe në kuptimin formal të fjalës nga pala greke, por ende nuk është hedhur hapi final.

Në takim u diskutua edhe çështja e ndarjes së kufirit detar.

Ditmir Bushati: Nuk do të preferoja që të flisja në këtë moment për një marrëveshje të re për gjithë çështjet që preukojnë marrëdhëniet tona, por duhet t’ju siguroj që ne i kemi kategorizuar në tre blloqe: në çështje të karakterit historik, dhe besoj se jemi pranë mbylljes së kapitullit të Luftës së Dytë Botërore duke filluar nga heqja e ligjit të luftës, çështjet e aktualitetit që kanë të bëjnë me shqiptarët që jetojnë këtu në Greqi me minoritetin grek në Shqipëri, dhe çështje që kanë një impakt të drejtpërdrejt për të ardhmen tonë të përbashkët, për projektet e sigurisë energjitike dhe për shfrytëzimin më të mirë të detit dhe detit si një mundësi që duhet të na mbajë bashkë me Greqinë dhe jo të na largojë.

Sinjale pozitive ka patur në diskutimin për çështjen çame.

Ditmir Bushati: Nuk mund të them për momentin që ka dakordësi për mënyrën se si e konceptojmë dhe si dëshirojmë ta trajtojmë, siç nuk ka darkodësi nga pala jonë për disa çështje të tjera që janë ngritur, por e përbashkëta dhe ajo çfarë unë e konsideroj mjaft pozitive në këtë takim është fakti që ne kemi listuar, krahas çështjeve, argumentet dhe kemi skicuar rrugë të mundshme për adresimin e këtyre çështjeve bazuar në të drejtën ndërkombëtare në precedentet që kemi studiuar të dyja palët.

Top Channel