Këtë herë, fondet që pritet të vijnë nga Kuvajti për rrugën e lumit të Vlorës duken më pranë, edhe pse mosbesimi i banorëve është ende i madh. Infrastruktura e rrënuar e publiciteti i munguar, pak mundësi i kanë dhënë fshatrave të kësaj zone të tregojnë shpesh atë që fshehin. Trashëgimia historike e kulturore, natyra e paprekur dhe shumë elementë të tjerë, sot flenë në pritje të shpluhurosjes.
“Edhe pse arti prehistorik pak njihet në Shqipëri, ai është forma më e mirë për të kuptuar evoluimin e shoqërisë, besimet dhe mitet që e kanë shoqëruar që në kohët më të hershme. Si ishim dje dhe si jemi sot. Shpella e shkruar e Lepenicës është vendi ideal, për të bërë e kuptuar diferencën”.
Lepenica ka rreth 400 banorë, mbahet me emigracion, blegtori e vreshtari, ndërsa bujqësia i ka mbetur para viteve ’90, sepse sot nuk është më e zhvilluar. Zona ka shumëllojshmëri të bimëve medicinale, ashtu siç ka edhe një klimë për t’u pasur zili.
“Ky fshat është fshati më i mirë nga klima, nga uji, nga pastërtia, nga qendra që e shihni edhe vet, nga të gjitha. Është shumë klimë e mirë”, thotë Dule Myslymaj.
E megjithatë, përtej të tjerave, historia është elementi me të cilin mburren më shumë banorët e Lepenicës. Shtëpitë e vjetra 300-vjeçare, legjendat, gojëdhënat, figurat e shumta që tregojnë përballjet e historisë.
“Ky fshat është quajtur që në kohë ‘Kanina e vogël’. Për mikpritjen, për rregullin, për disiplinën, për pleqtë që ka pasur ky fshat. Në rrëzë të maleve të larta, ku shqiponjat bëjnë fole, këtu shtrihet Lepenica, vendi ku ne kemi lerë. Fshat i bukur e me tradita, të shkruash e ke për nder”, thotë Sinan Selmani.
Mes tyre, shtëpia e Ahmet Lepenicës, një ndër krerëve të luftës së Vlorës në 1920-n, figurës kombëtare që i nisi betejat në 1912-n dhe i vazhdoi përballë grekëve, italianëve. Mbrojti Kongresin e Lushnjes, luftoi nga Jugu deri në Veri ndaj serbëve. Pak më tej, nga e njëjta lagje, shtëpia e Hysni Lepenicës, që njihet – veç të tjerash, – si një ndër komandantët kryesorë e më të rëndësishëm të Ballit Kombëtar. Njëri në diktaturë konsiderohej hero, tjetri tradhtar. Figura e Hysniut u rivlerësua vetëm në postdiktaturë. E megjithatë, për të dy, fati i sotëm është i njëjtë. Shtëpitë po u bien, bashkë debatet që ende janë të ndezura mes të majtëve dhe të djathtëve.
“Monumentet e kulturës nuk janë ruajtur sa duhet dhe si duhet. Janë shpërbërë. Edhe një gur ka vlerën e tij, atje ku është vendosur”, thotë Rrapo Rrapaj.
Për një element, të gjithë janë dakord: Shpellën e shkruar të Lepenicës, një vend që konsiderohet si ndër më të veçantët, jo thjesht në Shqipëri, por edhe në të gjithë Ballkanin e më tej. Datimi në mijëvjeçarin e tretë para Krishtit tregon edhe më shumë për vlerën e këtij vendi.
“Unë e mbaj mend që në rini, se i thoshim: A m’i pe dhentë nga shkuan? Te shpella e shkruar! Kishte emrin shpella e shkruar. E kështu me radhë, duke u rritur arritëm të shkonim ta shihnim e të kuptojmë që e kishin bërë njerëzit, nuk e kishte bërë natyra”, thotë Namiku.
“Po të them se kanë ardhur shumë të huaj. Vjet kam nisur unë 3-4 grupe që vinin nga Gjermania edhe më shumë, se nuk ishte bërë xhadeja dhe shkonin në këmbë. Shkonin e fotografonin, dhe thonë se duhet të njihet edhe në Amerikë”, thotë Çerçiz Arshiaj.
Një pjesë e rrugës është hapur nga një privat, ndërsa më tej, drejt shpellës duhet të vazhdohet në këmbë për rreth 30 minuta.
“Njohje të madhe nuk ka. Mund ta njohë vetëm zona jonë, e njeh Vlora si shpellë të shkruar. Nuk ka ndonjë promovim të veçantë, s’është bërë ndonjë publicitet”, thotë Lamçe Trusha.
“Ja ku është edhe shpella e shkruar e Lepenicës. Po të doni merrni pamje dhe që këtej, po të doni vemi edhe aty”, thotë Lamce Trusha.
Teksa pret të shikosh nga afër një monument të rrallë, zhgënjimi bëhet më shumë se i madh kur mbërrin. Kjo nuk është thjesht për faktin se, dërgatat e organeve përgjegjëse nuk janë dukur në këto anë që prej mëse 30 vitesh, por për vet gjendjen në të cilën është katandisur ky vend.
Veç një sy i vëmendshëm eksperti mund të dallojë ende diçka në këtë vend. Figurat, siç sqaron në studimin e tij edhe profesor Myzafer Korkuti, supozohet se tregojnë ekonominë e komunitetit të përfaqësuar në vizatime, burimet kryesore të jetesës dhe riprodhimit të tyre.
“Që të vish të ngacmosh këtë monument kulture, do të thotë sikur të vesh të prishësh varrin e gjyshit tënd. Këtu kanë jetuar të parët tanë, gjyshërit e me radhe, e me radhë. Këtu kemi historinë tonë, të cilën dashur-padashur na e kanë rrëmbyer të tjerët, duan të na e rrëmbejnë të tjerët dhe, zot kësaj historie duhet t’i dalim ne, banorët e këtyre trevave, banorët e këtij fshati, vet brezi i ri që ta promovojë. Jo vetëm brenda vendit, por edhe atje ku jetojnë”, thotë Ahmet Demaj.
Pjesa më e qartë e këtyre vizatimeve është se, që në mijëvjeçarin e tretë para Krishtit, shoqëria e atëhershme ka pasur në qendër figurën e njeriut, të cilit i është kushtuar kjo vepër monumentale. Njeriu i hyjnizuar në prehistori si vlerë, si simbol i jetës dhe i vazhdimësisë, deri më sot, kur pikërisht dora e njeriut u ngrit për të shuar vetveten.
“Shpella e Lepenicës dhe vizatimet e saj prehistorike tregojnë origjinën e lashtë të banuesve të zonës. Ajo që shihet mbi tokë janë shenjat, sesa keq e kanë trajtuar njerëzit dhe regjimet këtë zonë në kohëra më moderne. Të dyja janë dëshmi, sesi e shkuara përcakton drejtimin, që njerëzit mund t’i japin të ardhmes së habitatit të tyre”.
Top Channel