Rusi, gjykata shpall fajtore piloten ukrainase

21/03/2016 10:30

Një gjykatë ruse e ka shpallur piloten ukrainase Nadia Savchenko fajtore për vrasjen e dy gazetarëve rusë. Prokurorët argumentuan se ajo urdhëroi goditjen që i mori jetën gazetarëve në Ukrainën lindore dhe kërkuan një dënim me 23 vite burg.

Por avokati i saj tha se të dhënat e regjistruara në telefon tregonin se ajo ishte kapur nga rebelët prorusë para se gazetarët të vdisnin. Ukraina dhe disa vende perëndimore e kanë denoncuar rastin duke e quajtur atë një gjyq-spektakël. Dënimi do të jepet ndërkohë të martën, pasi gjykata të argumentojë pse gjykon se pilotja ukrainase është fajtore.

Një nga avokatët kishte thënë më herët se nuk kishte asnjë dyshim që gjykata në Donetsk, në Rusinë jugore, do ta dënonte atë me burg. “Një makineri propagandistike është ndezur këtu, ndërkohë që mungon drejtësia dhe liria”, tha Mark Feigin.

Savchenko, e cila është në grevë urie, supozohet se ka drejtuar sulmin nga ajri që i mori jetën dy gazetarëve të televizionit shtetëror rus, Igor Kornelyuk dhe Anton Voloshin, një pretendim që ajo e mohon. Ngjarja ka ndodhur në qershor të vitit 2014, në kulmin e luftimeve mes forcave ukrainase dhe rebelëve prorusë.

34-vjecarja, e cila është edhe anëtare e parlamentit ukrainas, thotë se është rrëmbyer nga rebelët të paktën një orë para sulmit dhe më pas i është dorëzuar autoriteteve ruse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA