Kosovë, njihen diplomat e institucioneve jopublike shqiptare të arsimit të lartë

21/03/2016 00:00

Pas premtimeve disamujore nga ministri i Arsimit, Teknologjisë dhe Shkencës, Arsim Bajrami, Kosova më në fund njeh diplomat e lëshuara nga institucionet jopublike të arsimit të lartë, të akredituara dhe të licencuara në Republikën e Shqipërisë.

Ministria e Arsimit njofton se, vendimi për njohjen e këtyre diplomave u mor të hënën dhe hyn në fuqi nga dita e nënshkrimit. Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte nënshkruar në mars të vitit 2015, nga dy ministrat përkatës të Arsimit. Por, deri më tani, Kosova nuk i pranonte diplomat e institucioneve jopublike të Shqipërisë.

Top Channel e ka trajtuar disa herë këtë çështje dhe, që nga nëntori i vitit të kaluar ka marrë disa herë përgjigje nga ana e Ministrisë se, zgjidhja ishte vetëm çështje ditësh. Ndërkohë, vendimi u mor një javë pas trajtimit të kësaj çështjeje edhe nga emisioni investigativ “Fiks Fare”.

Vonesa në njohjen e diplomave justifikohej nga zyrtarët e Ministrisë së Arsimit në Kosovë, për shkak të procedurave ligjore, pasi Kosova është anëtare e Agjencisë europiane të Akreditimit për Sigurinë e Cilësisë në Arsimin e Lartë, “ENQA”, ndërsa Shqipëria jo.

Moszbatimi i marrëveshjes nga pala kosovare ka zgjuar pakënaqësi te rreth 2.000 të diplomuar në universitetet private të Shqipërisë, të cilët janë ankuar vazhdimisht në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë dhe kanë kërkuar sqarime nga ministri Bajrami, madje edhe duke protestuar.

Top Channel