Fyen arbitrin, Khedira rrezikon dy ndeshje pezullim

21/03/2016 13:50

Fjalët e ashpra ndaj arbitrit Nicola Rizzoli mund t’i kushtojnë Sami Khedirës. Mesfushori gjerman, i cili u ndëshkua me karton të kuq në fund të sfidës derbi me Torinon, mund të pezullohet me dy ndeshje pasi e cilësoi gjyqtarin e ndeshjes si “budalla”, ndërkohë që përpëra këtij epiteti ai përdori një shprehje më fyese në gjuhën angleze.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “Tuttosport”, ky ndëshkim i mundshëm i Khedirës do t’i hapë jo pak probleme trajnerit të kampionëve të Italisë, Massimiliano Allegrit, i cili po përballet edhe me mungesa të tjera për shkak skualifikimesh dhe dëmtimesh.

Megjithatë, te bardhezinjtë shpresohet shumë te një lloj mëshire e Gjykatësit Sportiv në Serinë A, për ta lënë në vetëm 1 ndeshje pezullim dënimin e Khedirës, duke marrë parasysh se për gjermanin ky është skualifikimi i parë në këtë sezon.

Top Channel