Çmimi i Madh i Australisë, fituesit dhe humbësit

21/03/2016 00:00

Librat e rekordeve do të tregojnë se Nico Rosberg dhe Mercedesi dominuan në garën e parë të Botërorit të Formula 1 për vitin 2016, në Çmimin e Madh të Australisë. Por, rezultatet në vetvete nuk reflektojnë doemos një garë në këndvështrimin më të gjerë. Ndaj, le të shohim se çfarë ndodhi më qartësisht në Melbourne, kush arriti më shumë dhe kush do të shkojë në Bahrein në një pozicion disi më humbës.

Fituesit

Rosberg – I dëshpëruar për të treguar se fundi i sezonit 2015 nuk ishte një rastësi, si dhe duke dashur të ruajë momentin e mirë me Mercedesin dhe vëmendjen e tyre ndaj tij, gjithsesi kjo nuk ishte fundjava perfekte për gjermanin. Performanca e tij u sfumua nga ajo e shokut të tij të skuadrës përgjatë së premtes dhe të shtunës, si dhe u trondit nga aksidenti “poshtërues”, megjithatë u duk se atij nuk ia ndiente për atë episod. E diela është ajo që vlen më së shumti, e pikërisht atëherë ai dha më të mirën e tij. Nisja e dobët e Hamilton dhe ndalesa për shkak të flamurit të kuq mund ta kenë ndihmuar shumë në këtë aspekt, teksa gjermani ruajti diferencat me Vettelin gjatë fazës së mesme të garës, kur ai ishte me goma të mesme, ndërsa bashkëkombasi i tij me Ferrari kishte goma super të buta. Shpërblimi ishte fitorja në përpjekjen e parë sezonale të tij, si dhe kryesimi i renditjes së kampionatit, për herë të parë që prej Monzas së vitit 2014.

Haas – Që prej Toyotas së vitit 2002, asnjë ekip i ri në Formula 1 nuk kishte arritur aq shumë në garën debutuese, por të dielën, Haas arriti ta bënte këtë gjë falë garimit “të çmendur” të Romain Grosjean, që u ngjit nga vendi i 18 në të 6-in përpara flamurit të kuq. Ai përfitoi disi nga aksidenti i shokut të tij të skuadrës, ironike por ndodhi pikërisht sepse nuk u fut në “pit stop” përpara ndalesës. Ai shfrytëzoi fatin që i erdhi në dorë dhe refuzoi ta linte atë t’i ikte. Edhe pse me goma të mesme të konsumuara, të cilat i vendosi prej xhiros së 18, ai gjeti mënyrën për të qëndruar përpara Hulkenberg me Force India dhe Bottas me Williams. Një arritje për një ekip që synon mesin e poshtë të renditjes, si dhe një shembull i mirë shprese për skuderi si Manor e Sauber.

Daniel Ricciardo – Një garim i mrekullueshëm, që nga vendi i 8 në nisje e deri në vendin e katërt në përfundim, përfshi këtu xhiron më të shpejtë. Red Bulli duket se ende nuk synon një vend në podium, por Ricciardo duket se po shfrytëzon çdo mundësi dhe kaloi një moment të mirë, sidomos në garën e shtëpisë së tij. E vetmja keqardhje, fakti që ai mbeti vetëm një vend larg podiumit. Pritja për një podium në Australi do të mbetet të paktën deri në sezonin e ardhshëm.
 
Fernando Alonso – Spanjolli duket se kishte një temperament të përshtatshëm për të garuar, siguroi vendin e 10 menjëherë dhe dukej se do të synonte sigurisht marrjen e disa pikëve në fund, por gaboi me frenimin në kthesën 3 të xhiros së 17 dhe pësoi atë aksident të tmerrshëm, pas përplasjes me Gutierrez. Një fundjavë jo pozitive për të, gjithsesi kushdo që e pa atë aksident dhe rrënojën e makinës së tij prej nga ku doli i padëmtuar, me të gjitha gjasat do të thoshte se ai është fituesi i vërtetë i kësaj fundjave. Për t’u shënuar fakti që u kthye në bokset e skuderisë së tij dhe bënte shaka me gazetarët vetëm pak minuta nga ai aksident, ndërkohë që për t’u lavdëruar përpjekjet e drejtuesve të Formula 1 për t’u siguruar pilotëve sigurinë maksimale.

Jolyon Palmer – Kampioni në fuqi i GP2 zhvilloi një garë pozitive në debutimin e tij në F1. Duke qenë se shoku i tij i skuadrës, ai me më shumë eksperiencë Kevin Magnussen doli nga gara, Palmer zhvilloi një garë me besueshmëri dhe të matur, duke luftuar me agresivitet ndaj Bottasit dhe Toro Rossos së tij, duke humbur vetëm për pak vendin e 11. I ati Jonathan nuk mund të mos ishte krenar për të, duke qenë se në debutimin e tij, në 1983-shin, ai u rendit i 13-i.

Gara për titullin kampion në 2016-n – Gjatë dimrit pati shumë fjalë se Ferrari mund ta sfidojë bindshëm Mercedesin këtë vit dhe në Australi kjo u vërtetua. Nuk mund të thuash më se skuderia nga Maranello ka një deficit shpejtësie me gjermanët. Sapo Vettel dhe Raikkonen kapërcyen pozicione në fillim, ata ishin mjaftueshëm të shpejtë për të qëndruar përpara “shigjetave të argjendta” dhe me meritë. Nëse nuk do të shfaqej flamuri i kuq, me siguri që ata do të pretendonin fitoren. Kjo jo vetëm që shton optimizmin tek italianët, por tregon se Hamilton nuk mund ta “sigurojë” që në fillim betejën për titull. Këtë vit britaniku e nisi me këmbën e gabuar, sidomos kundrejt një piloti që ka fituar tashmë 4 gara radhazi. Sfida sapo ka nisur.

E sa u përket humbësve…

Daniil Kvyat – Piloti i Red Bullit dështoi të kapte një pozicion të mirë për të dytin vit në Australi, e sërish jo për fajin e tij. Ai mund të ketë peshën më të madhe të fajit për provat zyrtare të së shtunës dhe trafiku i rënduar e detyroi atë të qëndronte pas që në xhiron e dytë, edhe pse me goma super të buta, por vendi i 18 nuk duket aq mirë, kur dihet se shoku i tij i skuadrës, Ricciardo ndodhej 7 vende më sipër në të njëjtën periudhë të garës.

Force India – Pas “shpejtësisë dhe çmendurisë” së periudhës së testimeve, kjo skuderi duket se zbriti me këmbë në tokë me të nisur kampionati në Melboune. Asnjë prej makinave nuk u fut dot në sesionin e tretë të provave zyrtare, por e nisën garën nga vendi i 9 dhe i 10 me zgjedhje të lirë për gomat. Sigurisht ata mund të kishin shpresa ta kalonin garën me strategjinë e të ndaluarit vetëm një herë në “pit stop”. Hulkenberg, gjithsesi, ishte pretendent për të marrë pikë, por nuk mundi kurrsesi të parakalonte Grosjean, ndaj dhe mbeti në vendin e 7. Perez, nga ana tjetër, u duk se do të sfidonte Palmerin, por iu desh të “frenonte” disi për shkak të nxehjes së ferrotave të rrotave të përparme. E përfundoi në vendin e 13 dhe thuajse një xhiro pas kryesuesve.

Provat zyrtare, siç quhet procesi i kualifikimit – Formati i rishikuar me “eliminim të drejtpërdrejtë” pas çdo 90 sekondëshi, në 9 minutat e fundit të provave, u duk i shumëpritur por duket se dështoi me provën e parë. Sesioni i parë Q1 mbetej intrigues, ndërkohë që sfidat e vërteta do të shiheshin duke nisur nga sesioni i dytë, teksa ekipet luftonin për të arritur kohët perfekte. Gjithsesi, në minisesionin e tretë Q3, ai që premtonte spektaklin surprizues, Ferrari u duk se u tërhoq në minutat e fundit për të ruajtur konsumin e gomave dhe sikur u kënaq me radhën e dytë të nisjes. Si rezultat, Hamilton nisi festën ende pa u mbyllur koha zyrtare përgjatë “pit lane”-t. Nuk ishte aspak surprizë që sistemi i ri mori kritikat thuajse në unison të të gjitha skuderive, sidomos në minisesionin e tretë. Kjo bëri që mëngjesin e së dielës, skuderitë të bashkoheshin nën një zë dhe të bënin thirrje për rikthimin e mënjehershëm të formatit të vjetër.

Sauber – Në këtë periudhë të vitit të kaluar, kjo skuderi festonte futjen e të dyja makinave në zonën e pikëve, me debutuesin Felipe Nasr në vendin e 5. Por në 12 muaj mund të ndryshojë shumëçka. Kësaj here, vendi i 15 me Nasr ishte rezultati më i mirë për skuderinë zvicerane, ndërkohë që Marcus Ericsson u tërhoq nga gara për shkak të spostimeve të pjesës fundore të makinës. Suedezi madje u dënua edhe me një penalitet për të kaluar përmes “pit stop”-it. Ndaj dhe Nasr u shpreh në fund se “ka ende punë për të bërë”.

Harmonia e Toro Rossos – Duke qenë një individ që parapëlqen që pilotët e tij të tregohen të pamëshirshëm, drejtuesi i kësaj skuderie, Franz Tost do të duhet t’i marrë gjërat me më shumë qetësi pas Australisë. Verstappen ishte shkelësi i parë, teksa i valëvitej disa herë flamuri blu për shkak se kritikoi vendimin e skuderisë për të futur në “pit stop” Carlos Sainz të parin. Sainz refuzoi të këmbente pozicionet në pistë, e më pas shkëmbeu fjalë të ashpra pas garës me të tijtë. Megjithatë, mbetja jashtë gare e të dyve nuk “burgos” askënd. Verstappen deklaroi se “kemi një makinë fantastike, por të përfundojmë në vendin e 10 nuk është gjëja e duhur”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA