Zgjedhjet serbe në Kosovë, zyrtari serb: Askujt nuk i mohohet e drejta

20/03/2016 00:00

Marko Gjuriç, drejtor i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, siç quhet në Qeverinë e Serbisë, thotë për Top Channel se Serbia pret organizimin e zgjedhjeve të saj edhe në Kosovë. Modeli i organizimit përmes OSBE-së do të zbatohet edhe me 24 prill.

“Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në territorin e Kosovës e Metohisë dhe ato do të mbahen mbi parimet e njëjta sikurse në vitin 2014, pra vendvotimet do të jenë të hapura dhe të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote dhe janë në lista, do të mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë”, shprehet Marko Gjuriç.

Gjuriç, i cili mjaft shpesh viziton Kosovën dhe një nga njerëzit më aktiv rreth kësaj çështje, thotë se Serbia është e interesuar të krijoj marrëdhënie të mira me të gjithë shqiptarët, duke i konsideruar si popujt më të mëdhenj në Ballkan.

“Asociacioni i Komunave Serbe është një mekanizëm i domosdoshëm mbrojtës dhe garantues i mbijetesës së serbëve. Ajo nuk do t’ia mohoj askujt të drejtat. Asociacioni i komunave serbe nuk pretendon të vendos për të tjerët dhe ajo nuk ka për qëllim të ndaj njerëzit apo territoret apo diçka tjetër. Ajo ka për qëllim vetëm të jap serbëve pak më shumë të drejta”.

Gjuriç thotë se është krenar që shqiptarët dhe serbët tani kanë marrëdhënie më të mira, lëvizin lirshëm, por sipas tij mund të bëhet më shumë, pavarësisht çështjeve statusore.

Fajësinë për të shkuarën ia lenë politikës së gabuar dikur, por thotë se e ardhmja duhet të ketë një imazh tjetër.

“Në këto bisedime jemi për të krijuar në stabilitet afatgjatë në këtë pjesë të rajonit tonë dhe në pjesën, siç e konsiderojmë ne, të territorit tonë. Ne duam marrëdhënie funksionale me institucionet në Prishtinë, e cila do tua mundësoj qytetarëve të etnive të ndryshme të jetojnë në mënyrë normale dhe të funksionojnë pavarësisht nga mosmarrëveshja e dukshme rreth statusit. Ne duam që qytetarët të mos i dhëmb koka për shkak të qëndrimeve të politikanëve rreth statusit. Mendojmë se mjaft rrjedh nga plagët e së shkuarës”, thotë Gjuriç.

Pavarësisht insistimeve ndërkombëtare dhe Kosovës, Gjuriç thotë se serbët e kuptojnë si kërcënim heqjen e disa institucioneve të Serbisë, pasi nga buxheti serb nuk përfitojnë vetëm serbët në Kosovë. Shkollat dhe shëndetësia, janë të rëndësishme.
 

Top Channel