Vizita e Bushatit në Greqi, Idrizi: Të ngrihet çështja çame!

20/03/2016 00:00

Një ditë përpara se ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati të nisë vizitën zyrtare në Athinë, Shpëtim Idrizi i kërkon publikisht, që ai të ngrejë me zyrtarët grekë edhe çështjen çame.

Kreu i PDIU-së, i cili tashmë është në koalicion me socialistët thotë se, çështja çame është në programin e qeverisë. Idrizi thekson se, Bushati duhet të mbrojë dinjitetin kombëtar dhe parimet e vlerave europiane.

“Krahas axhendës diplomatike për heqjen e ligjit të luftës, rinegociimin e marrëveshjes së ujërave, apo marrëveshjen e kufijve tokësorë, marrëveshjes për sigurimet shoqërore për emigrantët shqiptarë që punojnë në Greqi, apo për hapjen e shkollave shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi, zoti ministër, po ju drejtohem sot për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, e cila është edhe në programin e qeverisë suaj. Rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë për çështjen çame, e datës 8 prill 2004 iu ngarkon që ta trajtoni gjerësisht, pa tabu, pa tërheqje dhe publikisht çështjen e shqiptarëve të Çamërisë”, është shprehur Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-së.

Top Channel