Referendumi vendos për legjitimitetin e kryetarit

20/03/2016 00:00

Kur të shkojnë në referendum, socialistët do të vendosin për të njohur ose jo legjitimitetin e mandatit të kryetarit të partisë . Kjo mënyre lë hapur opsionin e zgjedhjes së kryetarit, nëse alternativa e Edi Ramës nuk fiton.

“Nëse referendumi do të thotë po, atëherë do të kemi zgjedhje për kryetarin e Partisë Socialiste”, thotë Damian Gjiknuri.

Deputeti socialist, që ka punuar për ndryshimet statutore, e votoi referendumin, edhe pse njësoj si Fatmir Xhafaj, ai beson se mandati i kryetarit nuk vihej në pikëpyetje.

“Nga pikëpamja juridike kjo çështje mbyllet sot për mua si jurist. Pse? Sepse sot Partia Socialiste ka votuar statutin e ri, pra një ka një akt rregullator ku ka parashikuar që në kohën që kryetari i partisë është kryeministër, Kongresi mund të vendosë që të mos ketë zgjedhje për të”, sqaron Gjiknuri.

Për Ben Blushin ky nuk është argument dhe të paktën deri më 9 prill ai do ta përqendrojë debatin tek ajo që e quan “eleminim të kandidatëve”.

“Kjo shpikje referendare në kundërshtim me çdo normë dhe çdo praktikë ka arritur vetëm një gjë që Edi Rama të zgjidhet përballë Edi Ramës. Është i pari njeri në botë që vuri shenjën e barazimit mes vetes dhe një pyetje. U kthye në pikëpyetje sonte”, tha Blushi.

Edi Rama shpreson që në pikëpyetje të vendoset bashkëjetesa me Ben Blushin.

“Partia Socialiste është një parti që ka vepruar menjëherë kur rebelimi ka shkuar përtej parimeve, vlerave të përbashkëta dhe mbi të gjitha jashtë horizontit të qëllimit tonë të përbashkët. Shpresoj që ky mos të jetë rasti dhe as nuk do të doja kurrë që ky të ishte rasti”, tha Rama.

Top Channel