Ranieri: Titulli në duart e Leicester

20/03/2016 00:00

Edhe pse fitoi ndaj një kundërshtari jo direkt për titullin dhe nuk u përball me ekipin më të frikshëm në Premier League, suksesi ndaj Cristal Palace e ka bindur trajnerin Claudio Ranieri se kampionati është në duart e Leicester.

1-0 fituan “dhelprat” këtë fundjavë por sipas italianit që ka surprizuar me rezultatet edhe tifozët më skeptik, skuadra e tij tashmë e ka thuajse të sigurt titullin.

“Kampionati është në duar tona, por na duhet të marrim pikë të rëndësishme në 7 përballjet e fundit. Dua që lojtarët e mi të mos dorëzohen deri në fund”, ka thënë Ranieri i cili me skuadrën e tij kryeson me 66 pikë në renditjen e kampionatit anglez.

Riad Mahrez i dha suksesin e vështirë Leicester Cityt në përballjen e zhvilluar në “Selhurst Park” dhe tani ekuacioni bëhet më i thjeshtë në 7 ndeshjet e fundit.

“Ne duhet të fokusohemi në rezultatet tona dhe jo në çfarë do të arrijnë të tjerët. Edhe nëse nuk shpallemi kampion do të jem i lumtur pasi kujtoj startin e sezonit, kur kishim objektiv shpëtimin. Tani çdo kush flet për Lesicester në futbollin europian dhe kjo na jep shumë energji. Do të luajmë në Europa League ose Champions”, tha Ranieri.

Top Channel