Pasaportat me probleme, Policia: Verifikoni dokumentet e fëmijëve

20/03/2016 00:00

Ndonëse Ministria e Brendshme ka bërë disa herë thirrje për verifikimin e pasaportave, të printuara gabimisht me afat 10-vjeçar për fëmijët nën 17 vjeç, në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, çdo ditë u refuzohet kalimi në vendet e “Schengen”-it disa fëmijëve.

“Edhe në ditët e sotme kemi ende raste të tilla, që na krijojnë probleme dhe shqetësime edhe neve. Është shqetësim familjar mbi të gjitha. Një prej fëmijëve, siç e patë, kishte pasaportë të skaduar dhe ne jemi të detyruar të mos ta lejojmë të udhëtojë. Kjo pasi, në momentin që ky fëmijë do të mbërrijë në aeroportin e shtetit tjetër, automatikisht do të kthehet mbrapsht”, thotë Ermal Milori, shef i Policisë Kufitare në Rinas.

Në vitet 2009-2010 janë printuar më shumë se 150 mijë pasaporta me afat të gabuar 10-vjeçar për shtetasit nën moshën 17 vjeç, ndaj lidhur me këtë problem shefi i komisariatit të Rinasit, Ermal Milori u apelon qytetarëve të verifikojnë dokumentet.

Ndërkohë, i pyetur për një fluks të mundshëm të emigrantëve sirianë, Milori bën me dije se, në pikën e kalimit kufitar të Rinasit nuk është konstatuar asnjë rast kalimi i paligjshëm.

“Aktualisht nuk kemi pasur raste të shtetasve sirianë që tentojnë të dalin nga territori i Shqipërisë përmes pikës kufitare të Rinasit, por as që të hyjnë. Ndër masat kryesore janë kontrollet e shpeshta të vijës së dytë, si dhe kontrolli i dokumentacionit nëpërmjet pajisjeve speciale që disponojmë ne në Aeroportin e Rinasit”, deklaroi më tej Ermal Milori.

Top Channel