Pas Kongresit, anëtarësimet; PS prezanton “FRESSH Voice”

20/03/2016 12:00

Socialistet kanë zgjedhur një mënyrë më “trendy” për të nisur fushatën e anëtarësimeve të reja në Forumin Rinor.

Nën moton “FRESSH Voice”, një juri e përbërë prej katër anëtarësh, ish-kryeministri Majko, ish-kryetarja e FRESH, Spiropali, botuesja Dudaj dhe aktori Paja, do të udhëtojnë në të gjithë Shqipërinë për të ndjekur nga afër dhe vlerësuar në debate të rinjtë, e për të përzgjedhur mes tyre liderët e rinj.

Në fjalën e tij, kryetari i jurisë, Majko nuk ka kursyer edhe thumbat për zotin Blushi.

“Duhet të mësoni edhe nga të metat tona, të vendosni të bëheni pjesë apo jo e e dialogut tonë të djeshëm hamletian, “To be, or not to be”, të jesh apo mos jesh, të jesh apo të kesh, të votohesh apo të mos votohesh, të zbatosh apo mos zbatosh të jesh apo mos jesh, sërish. Më lejoni që këtë audicion ta fillojmë me kryetarin e Partisë Socialiste dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama”, tha Majko.

“Ky konkurs nuk është vetëm për ata që sot janë në FRESH, ky konkurs është për çdo vajzë dhe djalë që jeton sot në Shqipëri . Është për çdo vajzë dhe djalë të gjithë të kësaj gjenerate që ka nevojë të komunikojë, shqetësimet e veta, ka nevojë të komunikojë historinë e vetë, ka nevojë të komunikojë për t’u bashkuar me të tjerët dhe për të ndryshuar rrugën e historisë së vetë.

Nëse më lejohet do të kisha shumë dëshirë që në audicionin e parë të bëja edhe unë një provë nëse jam apo s’jam i aftë mes liderëve të rinj”, tha Rama.

Deri në 20 prill do të bëhen aplikimet e të gjithë kandidatëve në faqen Freshvoice.al. Pas kësaj date, juria të shkojë nëpër qytete për të bërë audicionet. Më të mirët nga çdo qytet do vijnë në Tiranë, ku do bëhen audionet kryesore nga do të dalin strukturat drejtuese të FRESSH.

Top Channel