Gega: Botërori i SHBA-ve nuk ishte dështim. Mund të ndryshoj disiplinën në Rio

20/03/2016 00:00

Kampionja shqiptare në garën e 1.500 metërshit në Atletikë, Luiza Gega nuk e quan dështim Botërorin e Portlandit, ku u rendit e 16-a, shumë larg formës dhe kohës së shënuar, kur ajo mori medalje ari në Ballkaniadën e Stambollit.

“Absolutisht nuk mund ta quaj dështim. Unë kam qenë me temperaturë 39.5 dhe isha e këputur. Sigurisht që unë dje dhashë maksimumin tim, por si e sëmurë kaq kisha mundësi”, thotë atletja shqiptare.

Luiza Gega është atletja e parë shqiptare e kualifikuar për në “Rio 2016”, falë vendit të 5-të që ajo zuri majin e kaluar në “Daymond League”. Por kampionja po mendon të ndryshojë disiplinë e të përfaqësojë Shqipërinë me të, që në Lojërat Olimpike të verës.

“Kam edhe objektiva të tjera, ndoshta mund të ndërroj edhe garë duke bërë 3.000 metërsh me pengesa, por për këtë do të diskutojmë dhe do të vendosim”, shton më tej Luiza Gega.

“Kemi gati një vit që kemi filluar stërvitjen për 3.000 metra me pengesa, bëjmë teknikë pengese dhe stërvitje për më shumë metra. Ajo që mund të ndodhë nga fundi i majit dhe fillimi i qershorit do të jetë testi i parë i vërtetë, Kampionati Europian”, thotë Taulant Stërmasi.

Koha që i kualifikon atletët në Lojërat Olimpike në disiplinën e 3.000 metrave me pengesa është 9 minuta e 45 sekonda, rreth 15 sekonda më shumë nga ajo që ka arritur deri tani Luiza Gega në stërvitje.

Top Channel