Akademia e Fubollit në Petrelë, Veliaj: Synojmë masivizimin e sportit

20/03/2016 00:00

Një kompleks sportiv, që përfshin edhe ndërtimin e Akademisë së Futbollit me financim publik dhe privat, ka nisur të zbatohet në njësinë administrative të Petrelës. Punimet i ka ndjekur edhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, i cili tërhoqi vëmendjen për masivizim të sportit dhe braktisjen e jetës sedentare.

“Është fatkeqësi, që sot 20% e fëmijëve, por edhe e të gjithë qytetarëve të Tiranës vuajnë nga obeziteti, çfarë përkthehet në sëmundje kardiovaskulare, në jetë më të shkurtër, në kosto për shëndetin etj. Kjo nuk shkon! Çdo qindarkë e investuar në sport është shumë më pak, nga ajo çfarë do të na duhet të investojmë nesër për të kuruar një jetë të pashëndetshme”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt, financimi i masivizimit sportiv dhe e një jete të shëndetshme të fëmijëve të qytetit është më inteligjente sesa kufizimi i vetëm disa financimeve rigoroze të ekipeve profesionale, që tashmë kanë akses në financa edhe në tregun privat.

“Shpresoj shumë, që nga ky bashkëpunim publik-privat, brenda këtij viti të hapim fushat e para dhe të sjellim një risi për Tiranën, e cila besoj se do të çojë në rritje numrin e fëmijëve që merren me sport. Nga një shifër qesharake, që është sot, në një shifër që iu afrohet atyre të rajonit dhe BE-së”, shtoi më tej Veliaj.

Kompleksi do të shtrihet në një sipërfaqe prej 38 mijë metrash katrorë truall, e rrethuar nga 32 mijë metra katrorë sipërfaqe kullote. Ai do të përfshijë Akademinë Sportive me kapacitet prej 900 nxënësish, 3 fusha futbolli, një fushë komplekse për kamp veror, hotel, pishinë olimpike dhe fusha për sporte të ndryshme.

Top Channel