Ruçi sulmon Kokëdhimën: Projektet pilot po dëmtojnë partinë

19/03/2016 00:00

Në fjalën e gjatë të mbajtur në Kongres, Gramoz Ruçi, ndër themeluesit e forcës më të madhe politike në vend dhe kryetari aktual i Grupit Parlamentar të saj iu kundërvu deputetit Koço Kokëdhima.

Pa përmendur emrin e tij, Ruçi foli për të “ashtuquajtura projekte pilote” brenda partisë dhe reforma, që sipas tij, po dëmtojnë Partinë Socialiste.

“Unë jam për rregulla të forta dhe domosdoshmërinë e zbatimit të tyre, jam për unifikim dhe zbatim të unifikuar të rregullave të partisë në të gjithë territorin dhe jo për të ashtuquajturat projekte pilote në emër të të ashtuquajturave reformë në parti për të krijuar një çorganizim të organizuar që dëmton frymën, dëmton organizimin dhe veprimin politik. Jam për veprim politik të çdo anëtari të Partisë Socialiste”, tha ndër të tjera ai.

Kjo deklaratë e Gramoz Ruçit mbërrin pas asaj të bërë nga Koço Kokëdhima, i cili foli të enjten në Top Story për një strukturë rajonale në Vlorë e Gjirokastër. Ai tha se struktura shërben për të lehtësuar në gjetjen e burimeve njerëzore të afta dhe të kualifikuar në një hapësirë më të gjerë.

Kokëdhima tha ndër të tjera se kundërshtohet sepse ka reformuar partinë në rajonet ku është kordinator.

“Nëse do të bësh punë, ndryshime dhe reforma, padyshim që ka kundërshti. Nëse do të bësh ndryshime të mëdha në një organizatë apo komunitet do të ketë debate, pëlqime dhe mospëlqime. Ajo reformë që kemi realizuar në Vlorë dhe Gjirokastrës i ka treguesit shumë të qartë. Ishte një reformë e strukturës politike dhe ekzekutive sepse ishte e nevojshme kjo gjë. Në Vlorë dhe gjirokastër kishim në letra 12 mijë anëtarë, sot PS ka 22 mijë anëtarë në mënyrë të vërtetë në rajonin Vlorë dhe Gjirokastër dhe këta anëtarë janë djem e vajza të rinj me shkolla të larta”, tha ai.

Top Channel