Rama: Referendumi, çështje partie, jo personi

19/03/2016 00:00

Për kryeministrin Edi Rama, “referendumi është një mundësi fantastike”, përmes të cilit anëtarët e Partisë Socialiste do të kenë mundësi të shprehen.

Në një prononcim për mediat në përfundim të kongresit, Rama ka deklaruar se, “referendumi do të ketë pyetjen nëse duhet të ketë apo jo zgjidhje për kryetarin e partisë”.

“Ky është një shembull që PS i shtrin përpjekjet për mirëkuptim dhe durim përtej çdo limiti. E dinë të gjithë që kjo është një farsë, por ka një racionalitet formal, ndaj do të shkojmë deri në fund”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se, kjo është një çështje që i përket Partisë Socialiste dhe “nuk është çështje personash”. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Rama ka mohuar zërat se veprimet e tij synojnë shtypjen e zërave rebelë në parti.

“PS është një parti ku rebelët shtohen. Historia e PS e tregon këtë, por sigurisht, nga ana tjetër, PS është një parti që ka vepruar menjëherë kur rebelimi ka shkuar përtej parimeve dhe vlerave të përbashkëta dhe qëllimit tonë të përbashkët. Shpresoj që ky të mos jetë rasti. Përpjekjet për të rrëzuar qeverinë e PS janë kulmi”, ka shtuar Rama.

Top Channel