PD, Bogdani: Kongresi i PS, një tragji-komedi

19/03/2016 16:55

Partia Demokratike, përmes deputetit Gerti Bogdani ka ironizuar kongresin e Partisë Socialiste. Në një deklaratë për mediat, Bogdani i ka cilësuar një “farsë” konstatimet e bëra në këtë event si nga eksponentët më të lartë të PS, ashtu edhe nga të ftuarit ndërkombëtarë.

“Farsa e Kongresit, sa tragjik edhe komik të PS, arrin kulmin kur gënjeshtrat që Rama me kompani tentojnë t’i servirin shqiptarëve penetrojnë edhe tek eurodeputeti i majtë, Pitella!!! Ky i fundit, paturpësisht, jo vetëm gënjen, por edhe guxon të sulmojë jo vetëm të djathtën në Shqipëri, por edhe të djathtën europiane”, ka thënë Bogdani.

Duke komentuar deklaratën e Pittellas se, vizat për shqiptarët i liberalizoi qeverisja e majtë, Bogdani është shprehur se, “kjo tregon ose se ka pak informacion, ose se sa pak kapacitet ka!!!”.

“Liberalizimin e vizave për shqiptarët, anëtarësimin në NATO, avancimin e integrimit europian e shumë procese të tjera jetike për Shqipërinë janë bërë gjatë qeverisjeve së PD”, ka thënë Bogdani.

Ai e ka cilësuar si të papranueshme deklaratën e mëtejshme të Gianni Pittella se, “e djathta europiane pranon dhe të vrasë fëmijë refugjatë vetëm që të mos i pranojë ata në BE e t’i ndihmojë”.

“Ky arlekin politik, që më shumë gjasa financohet nga këta arlekinët tanë me paratë që vjedhin nga tenderat e koncesionet, duhet ta ketë shumë të qartë që është e djathta europiane ajo që e mban Europën në këmbë në kohë krizash. Është e djathta europiane, e sidomos CDU-ja gjermane që hapi dyert për qindra mijëra refugjatë dhe është sërish e djathta europiane ajo që po mundohet e që do t’i japë zgjidhje kësaj krize”, ka thënë Bogdani.

Top Channel