Meta: Debati Rama-Blushi, i natyrshëm. S’ka vend për shqetësim

19/03/2016 16:45

Kryetari i LSI, Ilir Meta, në një prononcim për mediat pas pranisë së tij në kongresin e Partisë Socialiste, e ka cilësuar si “të natyrshëm” debatin Rama-Blushi.

“Mendoj se PS është një parti e madhe dhe debati është i natyrshëm, sepse në përgjithësi debati është diçka e re, apo është një herezi. Ne debate kemi pasur vazhdimisht brenda koalicionit për çështje të caktuara e po ashtu brenda grupeve parlamentare”, ka thënë Meta.

Sipas tij, në këtë aspekt nuk ka vend për t’u shqetësuar. “Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi PS ka të gjitha eksperiencat, besoj, për ta zhvilluar debatin gjithmonë në mënyrë demokratike dhe për të përfituar nga debati. Dhe jo vetëm PS, por i gjithë vendi, sepse është forcë kryesore qeverisëse”, ka nënvizuar Meta.

I pyetur nga mediat nëse debati aktual mund të çojë drejt një partie të re, njësoj si rasti i LSI-së, kryetari i Kuvendit është përgjigjur:

“Nuk kam dëgjuar se dikush ka shpallur ndonjë alternativë për të krijuar një forcë të re politike. Absolutisht besoj se ky kongres do t’i shërbejë përmirësimit të mëtejshëm të qeverisjes së vendit që e presin të gjithë socialistët, progresistët, por dhe të gjithë shqiptarët, sepse padyshim që është bërë një progres i rëndësishëm në këto 30 muaj”, ka thënë Meta.

Top Channel