Dhuna seksuale gjatë luftës, nisin aplikimet për njohjen e statusit

19/03/2016 00:00

Në Kosovë kanë filluar këtë shtunë aplikimet e para për njohjen e statusit të të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës.

Në një njoftim të zyrës për shtyp të presidentes Atifete Jahjaga bëhet e ditur se presidentja ka pranuar disa aplikime, gjë që 17 vjet pas luftës shënon dhe zyrtarisht fillimin e procesit të identifikimit të tyre.

Dy vjet më parë, kjo kategori u përfshi në ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, pas debateve në Kuvend, duke pranuar si “viktimë e dhunës seksuale të luftës” personin që i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës 27 shkurt 1998 – 20 qershor 1999.

Që prej miratimit të ligjit në vitin 2014 është caktuar një afat 5-vjeçar i paraqitjes për aplikim, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e çështjes. Megjithatë, duke filluar nga ndërmjetësimi i vetë presidentes Jahjaga, e cila ka themeluar dhe kryeson një këshill për të mbijetuarit e dhunës seksuale, kanë qenë të shumta thirrjet për aplikim, duke i ndërgjegjësuar për faktin se nuk duhet të ndjejnë turp për atë që ka ndodhur gjatë konfliktit.

Nga ana tjetër, ligji garanton me një nen edhe mbrojtjen e identitetit të tyre. Në bazë të ligjit, verifikimin e aplikuesve pritet ta bëjë një komision prej 9 antarësh që duhet të ishte themeluar brenda gjashtë muajsh nga hyrja në e fuqi e ligjit të plotësuar.

Nuk ka statistika zyrtare por besohet se janë rreth 20 mijë gra dhe vajza shqiptare ndaj të cilave është ushtruar dhunë seksuale e formave të ndryshme gjatë viteve 1998-99.

Top Channel