PDK i kërkon presidentes së re të kthejë Ligjin për Specialen në Kuvend, Justina Shiroka Pula pritet të marrë vendimin Tri partitë opozitare në Kosovë kanë mbajtur një protestë në Vushtrri, për të kundërshtuar propozimin e serbëve për krijimin e një komune të re me shumicë serbe, atë të Prilluzhës, që ndodhet mes komunave shqiptare të Vushtrrisë dhe Obiliqit.
Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri tha se, në rast formimi të komunës së Prilluzhës, Serbia do të kontrollojë edhe pasurinë e thëngjillit të Kosovës, që ndodhet në këtë zonë.
“Serbia e ka ndarë ‘Trepçën’ dhe po e kontrollon përmes Mitrovicës së ndarë. Brezovicën e kontrollon përmes komunës së Shtërpçës. Minierat e Artanës i kontrollon përmes zgjerimit të komunës së Artanës. Ndërsa tani, po kërkon të kontrollojë thëngjillin e Kosovës përmes komunës së Prilluzhës”, tha Visar Ymeri.
Kjo protestë e opozitës është vlerësuar si shpikje e pavërtetë, nga ana e Qeverisë së Kosovës, e cila përmes një komunikate ka sqaruar se, nuk ka diskutuar asnjëherë dhe për asnjë moment themelimin e një komune të re serbe.
Qeveria vlerëson se, thirrja e qytetarëve në protestë për një komunë të trilluar nga opozita, konfirmon se partitë opozitare në Kosovë po sajojnë kauza për përfitime politike, duke u përpjekur të polarizojnë shoqërinë kosovare.
Protestën e opozitës kosovare, kundër idesë për komunën e re serbe, e ka komentuar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. Gjatë një vizite në një fshat me banorë serbë në Lipjan, ai ka thënë se nuk e kupton faktin kur dikush kërkon të protestojë për të pasur tjetri më pak të drejta.
Top Channel