Finalja e parakohshme; Klopp, heroi që rikthehet në “shtëpinë” e tij

18/03/2016 00:00

Një finale e parakoshme në Europa League. Kështu është cilësuar përballja mes Borussia Dortmund dhe Liverpool, e cila përveç duelit mes dy skuadrave që e meritojnë më shumë se të tjerat finalen e 18 majit, është një sfidë më vete edhe për Jurgen Kloppin.

Gjermani, aktualisht trajner i Liverpool, do të luajë kundër të shkuarës dhe do të kërkojë të mposhtë skuadrën, tek e cila dha më shumë se gjithçka. Në fakt, pas ndeshjes në “Old Trafford”, 48-vjeçari uroi që të evitonte përballjen me ekipin dhe tifozët, me të cilët kaloi 7 vite emocionuese.

“Dortmundi? Sigurisht që jo! Pse duhet të kërkoj skuadrën më të mirë në raundin e ardhshëm? Unë nuk jam budalla, por nëse do të duhet të shkojmë atje, do të përpiqemi të fitojmë”, tha Klopp përpara shortit.

“7 prilli do të jetë dita, kur heroi kthehet në shtëpinë e tij”. Ky është reagimi i mediave gjermane pas hedhjes së shortit. Një ndeshje e shumëpritur edhe për tifozët e Dortmundit, të cilët janë të dashuruar me trajnerin që riktheu pas 21 vitesh trofeun e kampionit në “Westfalenstadion”, apo “Signal Iduna Park” siç njihet prej sponsorit stadiumi i verdhezinjve.

Dy superpërballje në dy impiante gjigante futbolli priten të dhurojnë spektakël pa fund. Në fushë, Klopp kundër së shkuarës, ndërsa në tribunë, koreografitë e tifozëve të Dortmundit kundër sloganit “You’ll Never Walk Alone” të tifozëve të Liverpool.

Top Channel