Botërori i atletikës në salla ngre siparin me rekorde. Pritet Luiza Gega

18/03/2016 00:00

Botërori i atletikës në salla të mbyllura që mbahet në Portland të SHBA-ve, nisi me 2 rekorde të reja të kampionatit në disiplinën e kërcimit me shkop në kategorinë e meshkujve dhe të femrave.

Për meshkuj, ishte francezi Renos Lavileni ai që fitoi medaljen e artë me rekord në këtë disiplinë duke kaluar lartësinë 6 m e 2 cm.

Lavileni më pas tentoi të kalojë lartësinë 6 m e 17 cm që do të përbënte rekord botëror, por francezi dështoi në të 3 tentativat. Medaljen e argjentë në kërcimin me shkop për meshkuj e fitoi amerikani Sem Kendriks me 5.8 m, ndërsa ajo e bronztë i shkoi polakut Piotr Lisek.

Për femra, ajo që vendosi rekord të ri të kampionatit në këtë botëror ishte amerikania Jennifer Sur me 4.9 m.

Në vendin e dytë duke fituar medaljen e argjendtë u rendit amerikania tjetër, Sandi Morris me 4.85 m, ndërsa e medaljen e bronztë e fitoi grekja, Ekaterini Stefanidhi.

Në Botërorin e Atletikës në salla të mbyllura merr pjesë edhe atletja shqiptare Luiza Gega që do të garojë në garën e 1500 m për  femra. Fillimisht rekordmenia kombëtare dhe e Ballkanit do të marrë pjesë në garat kualifikuese ku ajo është në baterinë e dytë, garë kjo që do të zhvillohet sot (e premte) në  21:45 me orën europiane.

Gega ka si kohën e saj më të mirë në këtë disiplinë 4 minuta 06 sekonda e 89 të qindtat.

Top Channel