Pakti ndërmjet BE-së dhe Turqisë për të frenuar rrjedhën e refugjatëve në Europë duket se është në rrezik për shkak të kontestimit të Qipros.
Mosmarrëveshjet që kanë ndjekur për dekada Nikosian dhe Ankaranë po reflektohen edhe në këtë moment kyç për kontinentin. Finalizimi i paktit BE-Turqi duhet të ketë vendimin unanim të bllokut, por që Turqia të strehojë refugjatët, në këmbim kërkon benefite nga unioni.
Ndërkaq , haptazi Qiproja ka kërcënuar qe të vërë veton ndaj çdo marrëveshje që ajo nuk do të japë dakordësinë. Presidenti Nicos Anastasiades, paralajmëroi se nuk mund të bjerë dakord për të plotësuar dëshirat e Turqisë deri në momentin që, sipas tij, nuk do t’i plotësojë detyrimet ndaj ishullit.
Donald Tusk, Presidenti i Këshillit Europian, i cili kryesoi takimin, ka theksuar se vendet e mëdha të BE-së nuk mund të pranojnë një zgjidhje, e cila do te dëmtojë në mënyrë të njëanshme Qipron. E po ashtu, kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, këmbënguli se Turqia po kërkon shumë dhe se ai vetë nuk e pranon një negocim që vjen në formën e shantazhit.
Lista e parashtruar nga kryeministri Ahmet Davutoglu në samitin e mëparshëm të 7 marsit, është cilësuar si egoiste. Por, çfarë kërkon Turqia në shkëmbim të strehimit të refugjatëve që mbërrijnë në ishujt grekë? Teorikisht qeveria e Ankarasë ka pranuar të “vetësakrifikohet” , por për të përfitimet që duhet të marrë si shpërblim janë: përshpejtimi i anëtarësimit në BE, po ashtu heqja e vizave për turqit në zonën Shengen, duke i finalizuar kërkesat e saj me një tjetër fond prej 3 miliardë eurosh nga unioni, për të përballuar kostot e refugjatëve.
Top Channel