Moratorumi i pyjeve frenon prerjet, por dëmet e hershme janë të mëdha

17/03/2016 00:00

Parku Kombëtar i Shebenikut është një zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë. Që prej vitit 2008, kur u shpall Park Kombëtar, prerja e pyjeve këtu ka qenë rreptësisht e ndaluar.

Disa ditë më parë, i njoftuar nga banorët e zonës, Top Channel tregoi për masakrën që i është bërë këtij parku. Pas kësaj, Inspektoriati i Mjedisit ka proceduar e dërguar për ndjekje penale një të moshuar dhe nipat e tij, si dëmtues të pyllit.

Sipas inspektorëve, parku nuk është prekur kur ka hyrë në fuqi moratoriumi, por këtu ka gjurmë të një prerjeje të kryer pa asnjë rregull dhe pemët janë rrëzuar në tokë. Në këtë park, edhe para moratoriumit nuk duhej të kishte prerje të tilla. Inspektorët e Mjedisit, në vendin e dëmtimeve thanë:

“Këto prere janë të paktën prej 4 muajsh. I përkasin muajve nëntor-dhjetor dhe të gjitha të raportuara sipas procesverbaleve e evidencave, që rojet mjedisore të Parkut Shebenik-Jabllanicë, raportojnë qoftë në drejtorinë e tyre dhe në inspektoriat”, tha Mit’hat Shuli, Inspektoriati i Mjedisit dhe Pyjeve.

Parku Kombëtar i Shebenikut ka një shtrirje prej 34 mijë hektarësh. Në zonë dukshëm janë hapur rrugë për automjete, të cilat janë përdorur për të transportuar pemët e prera në sasi shumë më të mëdha, edhe para vendosjes së moratoriumit.

Top Channel