Misioni i EULEX kundër ministrit të Drejtësisë

17/03/2016 00:00

Misioni europian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili gjatë një interviste televizive ka thënë se çështja e gjykimit të ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku, nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it ka qenë absurde.

Misioni i Bashkimit Europian, EULEX, e ka cilësuar këtë deklarim të ministrit Kuçi si frikësim të gjyqtarëve dhe ndërhyrje politike. “Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm”, thuhet në reagimin e EULEX.

Në shenjë pakënaqësie me deklaratat e ministrit Kuçi, EULEX ka shtyrë për një datë tjetër mbledhjen e bordit të përbashkët për sundimin e ligjit ku anëtarë është vet ministri Kuçi.

Por, ministri Kuçi ka sqaruar pas këtij reagimi se gjatë ditës ka komunikuar përmes telefonit me shefin e EULEX-it për keqkuptimin që sipas tij ka ndodhur me deklaratat e tij.

Ai tha se në një vend demokratik duhet të respektohet edhe pavarësia e gjyqësorit por edhe fjala e lirë, ndaj ai tha se pas sqarimeve bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë me EULEX-in vazhdon normalisht.

Top Channel