Liberalizimi i vizave, ekspertët e BE në terren

17/03/2016 00:00

Ekipi i ekspertëve që do të vlerësojnë përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave kanë dalë në terren gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Kosovë, për të parë nga afër zbatimin e 8 kritereve.

Fisnik Rexhepi, koordinator i procesit të liberalizimit të vizave në Kosovë, ka treguar për Top Channel se ekspertët europianë kanë vizituar gjatë ditës Prokurorinë e shtetit, policinë dhe institucione të tjera, për t’u siguruar se kushtet e kërkuara janë plotësuar.

“Ekspertët kanë qenë në gjendje që të shohin nga afër dhe duke bashkëbiseduar me zyrtarët përgjegjës për zbatim kanë qenë në gjendje që të shohin zbatimin e këtyre tetë rekomandimeve dhe përshtypjet e tyre të para janë mjaft pozitive. Ne do të vazhdojmë edhe nesër të kemi takime tjera”, tha Rexhepi.

Pas kësaj vizite të ekspertëve vlerësues, Rexhepi tha se Kosova pret rekomandimin e heqjes së vizave.

“Ne jemi të bindur që brenda pak javësh ata do të dorëzojnë këtë raport dhe ky raport do të konfirmoi gjendjen reale në terren dhe ajo është që ne i kemi përmbushur këto tetë rekomandime dhe ky raport pastaj do t’i mundësojë Komisionit Europian që të procedojë me rekomandimin dhe pastaj me vendimmarrje në Parlamentin dhe Këshillin e Bashkimit Europian”, vijoi Rexhepi.

Ekipi vlerësues, i cili përbëhet nga tre ekspertë të vendeve anëtare dhe tre nga Komisioni Europian, do të përmbyllin të premten në mbrëmje vizitën në Kosovë ndërsa të gjitha takimet që i kanë bërë në Kosovë kanë kërkuar që të bëhen pa praninë e mediave.

Top Channel