Kuvend, PS mbron mandatin e Sulit; debate për reformën në drejtësi

17/03/2016 00:00

Është rrëzuar në seancën plenare të kësaj të enjteje kërkesa e PD për dërgimin e mandatit të deputetit Rakip Suli në Gjykatën Kushtetuese.

Kërkesa e opozitës, që e akuzon Sulin për përfitime të paligjshme fondesh publike në një kohë kur gëzon mandatin e deputetit, është rrëzuar me 77 vota kundër.

Në përfundim të votimit, ish-kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, “kusarizmi dominoi sot në Parlament” dhe ftoi qytetarët shqiptarë që “t’i japin përgjigjen më të fuqishme” këtij institucioni.

“Ky Parlament është shndërruar në mënyrën më kriminale të hapur në mbrojtëse të plaçkitjes së pasurive të qytetarëve nga ofiqarët e saj, duke filluar nga Edi Rama me Olsin e tij e duke përfunduar tek deputeti Suli, që javën e kaluar u shpreh i gatshëm të shkonte në gjykatë, por që sot e zuri frika dhe kërkoi mëshirë”, tha Berisha.

Ai ka vlerësuar se, “Rakipi është vetëm një peshk i vogël, por deputetët e mazhorancës mbrojnë plaçkën që ka bërë kryetari i tyre Edi Rama, me CEZ-in, TVSH-në që po merr tani, etj”.

“Koçoja kërcëlliti dhëmbët dhe këta të tjerët janë ushtarë të bindur të partisë. Këta nuk zbatojnë Kushtetutën dhe popullit i lind e drejta t’i qërrojë këta puçistë”, ka thënë Berisha.

Më tej, ai i është përgjigjur me kundërakuza deputetit Taulant Balla, që më herët në Parlament e bëri ish-kryeministrin përgjegjësin kryesor për tragjedinë e Gërdecit.

“Taulant Balla është denoncuar nga Sali Berisha vite më parë si veikël droge. Është pjesë e klanit Hoxha të Librazhdit, që ka qenë miku i tij i ngushtë, por që u kap dhe u ekstradua në Itali. Gjithashtu, është mik i ish-presidenti i klubit të Shkumbinit, që kaloi doganën e Tre Urave me makinën e Taulantit. Taulanti ka interesa mafioze dhe jo interesat e ligjit”, ka thënë Berisha.

Sa për zgjedhje të parakohshme, ai ka theksuar se, “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, ndaj dhe populli duhet të gjejë zgjidhje”. “Të kesh frikë nga Ben Blushi është njësoj si të kesh frikë nga hija jote”, ka komentuar më tej ish-kryeministri.

PD, Paloka: Rama promovon krimin

Seanca parlamentare e kësaj të enjteje u hap me kryetarin e grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, që akuzoi direkt kryeministrin Edi Rama për “promovim të krimit” në politikë.

Gjithashtu, Paloka komentoi me ironi edhe deklaratat e pak ditëve më parë të ministrit Saimir Tahiri, që kritikonte gjykatat për lirimin e një të akuzuari për armëmbajtje pa leje.

“Ministri i Brendshëm foli për gjykatësin që kishte liruar një person për armëmbajtje dhe e shqetësonte pabarazia e madhe. Por nuk u shqetësua ky ministër kur një nga këto gjykata liroi një deputet të mazhorancës, i cili jo vetëm akuzohej për armëmbajtje pa leje, por edhe se kishte qëlluar ndaj disa personave. Kjo, sepse ishin ata (Tahiri dhe Rama) që i bënë presion gjykatës për ta liruar”, tha Paloka.

Ai nënvizoi se, amendamenti i opozitës për dekriminalizimin lidhet pikërisht me këto raste, në mënyrë që zyrtarë e deputetë të inkriminuar të mos vazhdojnë të mbajnë poste zyrtare.

“Por Rama e ka dhënë urdhërin për këtë amendament që nuk do ta votojë. Kjo është evidente përse. Kjo qeveri nuk është e qytetarëve, por e prengëve dhe kokëdhimëve, prandaj këtyre nuk u shkon ndërmend të investojnë për qytetarët. Kjo është një çështje që nuk e zgjidh dot ky Parlament”, deklaroi Paloka.

Berisha: Rama dhe të tijët kanë uzurpuar pasuritë e vendit

Ndërsa ish-kryeministri Berisha akuzoi krerët e shtetit se, përveç se kanë promovuar krimin, kanë përvetësuar pasuritë publike të vendit, situatë kjo që e bën të papranueshme qëndrimin e PD në Parlament.

“Kjo është një sfidë e hapur që ju i bëni qytetarëve, ligjit të vendit, transparencës dhe ekzistencës së këtij shteti. Nuk ka cinizëm më ekstrem sesa ju, që keni marrë për djalin tuaj lokomotivën dhe hekurudhën. Pas pasurive të vendit, kryesoni tani seancën. Nuk ka gjest më të pacipë të Edvin Ramës dhe më të papranueshëm për ne si opozitë. Ne u detyruam të braktisnim Parlamentin sepse ju sollët këtu njerëz që i kishin duart të lyera me gjak”, tha Berisha.

Menjëherë pas deklaratës së tij, deputetët e Partisë Demokratike braktisën seancën.

PS, Balla: Berisha, kryekrimineli i Gërdecit

Akuzave të Berishës iu përgjigj deputeti i PS, Taulant Balla, i cili e akuzoi ish-kryeministrin si përgjegjësin kryesor të tragjedisë së Gërdecit. “Ik Sali, merri me vete të gjithë, sepse arsyeja është e njëjtë. Përsa kohë nuk bëhet reforma në drejtësi, kryekusari Sali Berisha ka shumë të drejtë të shpifë e të hedhë baltë pa fund”, tha Balla.

Gjatë fjalimit të tij, Balla tregoi edhe disa dokumenta të publikuara sipas tij në media e që tregojnë përfshirjen e Berishës dhe familjarëve të tij në këtë ngjarje.

“Publikut i janë vënë në dispozicion nga mediat dokumente që e lidhnin këtë kriminel me biznesin vrasës të Gërdecit. Këtu kam gjithë dokumentacionin e plotë të vendimit të Këshillit të Ministrave, të procesverbaleve të KM, me të cilat Berisha ushqente fabrikën e vdekjes. Ja çfarë thoshte Berisha në një mbledhje, kur e kundërshtonin Bode dhe Rusmali: “hajde, ta marrim pak me qetësi këtë problem, se duhet ta zgjidhim këtë punë”. Pastaj ai vazhdon me presionet e veta për t’i dhënë djalit të tij municionin për të hedhur në erë një fshat të tërë. Të gjitha këto dokumenta janë publike, një pjesë e ka prokuroria, por ende as Shkëlzeni as Saliu nuk janë marrë një herë të vetme në pyetje”, tha Balla.

Seanca vijoi me miratimin e ligjeve që ishin në rendin e ditës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta