Indian Wells, Nadal dhe Djokovic në çerekfinale; eliminohet Wawrinka

17/03/2016 11:45

Rafael Nadal dhe Novak Djokovic u kualifikuan në çerekfinalet e turneut Masters të Indian Wells-it.

Tenisti spanjoll eliminoi jo pa vështirësi talentin 18-vjeçar Alexander Zverev me rezultatin 2-1. Zverev fitoi setin e parë 7-6, por në të dytin Nadal u tregua superior, duke e mbyllur atë 6-0 në favorin e tij. Në setin final, Zverev arriti të kryesojë 5-3 dhe në “game”-n e 9 kishte në dispozicion pikën për të eliminuar përfundimisht spanjollin. Por 18-vjeçari gaboi duke e kthyer Nadalin në lojë, me 29-vjeçarin që fitoi një avantazh psikologjik për të mbyllur këtë set 7-5 dhe krejt ndeshjen 2-1.

Shumë më të lehtë e pati përballjen e tij Novak Djokovic.Numri 1 i botës eliminoi në raundin e katërt spanjollin Feliciano Lopez, të cilin e mundi pastër 2-0. Djokovicit iu deshën vetëm 66 minuta në dispozicion për të mbyllur këtë ndeshje, setet e së cilës i fitoi me të njëjtin rezultat: 6-3.

Ai që zhgënjeu në raundin e katërt të Indian Wells-it ishte Stanislav Wawrinka. Tenisti zviceran, numri 3 i turneut, u eliminua nga belgu Goffin, pasi u mund 1-2. Goffin fitoi setin e parë 6-3, por Wawrinka vendosi ekuilibrin në këtë sfidë duke fituar të dytin 7-5. Seti final shkoi në “tiebreak” dhe ai që doli fitues ishte Goffin, duke e mbyllur atë fraksion 7-6.

Top Channel