F1, Mercedes-Hamilton, binomi për t’u mundur

17/03/2016 11:30

Numërimi mbrapsht për startin e sezonit të ri të Formula 1 tashmë ka filluar. Të gjithë pilotët dhe skuadrat pjesëmarrëse kanë mbërritur në Melbourn për të zhvilluar garën e parë të Botërorit të këtij viti. Mercedes dhe Lewis Hamilton janë ata që duhen mundur, duke qenë se janë kampionët e botës në fuqi për konstruktorë dhe pilotë.

Pikëpyetja në këtë sezon qëndron te fakti se, cila do të jetë ajo skuadër, që do të rivalizojë më shumë me gjigantët gjermanë. Ferrari ka më shumë mundësi për ta bërë një gjë të tillë, ndërkohë që sytë janë edhe nga Red Bull e Williams. Por, përgjigjja për këtë çështje do të merret në provat e së shtunës në 07:00 të mëngjesit, dhe garën e së dielës në 06:00 të mëngjesit.

“Të gjithë pilotët kërkojnë të bëjnë xhiron dhe garën perfekte, – tha Hamilton. – Gjithnjë duam që të ngremë sa më lart stekën, pasi një gjë e tillë mund të ndodhë. Mendoj se, këtë vit, Ferrari mund të ketë fshehur një as nën mëngë”.

Ndërsa Vettel deklaroi se Ferrari është përmirësuar, por vetëm pas disa garave do të kuptohet sesa shumë ka ecur përpara kjo skuadër. Gjithsesi, gjermani tha se, ai dhe Ferrari do të bëjnë gjithçka për t’ia rrëmbyer Mercedesit rolin e favoritit për të fituar titullin në Formula 1. Ferrari nuk e fiton një titull për pilotë që në 2007-n me Raikkonen, ndërsa herën e fundit që u shpall kampion për konstruktorë ishte në vitin 2008.

Top Channel