Bashkia, rindërtim 23 kopshteve në Tiranë; PD: Veliaj të sqarojë nismën

17/03/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka në plan të rindërtojë 23 kopshte fëmijësh dhe të ndërtojë 11 kënde të reja lojrash në zona e lagje të ndryshme të kryeqytetit.

Sipas kryetarit Erion Veliaj, aktualisht po zbatohet projekti “Adopto një Kopësht”, ku ftohen bizneset për të ndihmuar në këto qendra të arsimit parashkollor.

“Ne do vazhdojmë me 23 kopshte, çdo javë do të konstruktohet një kopësht. Gjithashtu do të nisim ndërtimin e 11 këndeve të lojrave në 11 lagje të tiranës. Kështu që nuk do të ndalemi. Nuk do të jetë vetëm parku tek Liqeni”, deklaroi Veliaj.

Të njëjtën praktikë, Bashkia e Tiranës ka ndjekur edhe me disa çerdhe në kryeqytet. Ndërkohë, përmes një kërkese zyrtare, grupi demokrat i këshilltareve të Bashkisë së Tiranës i kërkon kryetarit Veliaj informacion mbi nismën “Adopto një çerdhe” se, mbi ç’bazë ligjore mbështetet kjo proçedure, cila është vlera dhe çfarë marrëdhënieje juridike është krijuar mes palëve.

Njëkohësisht kërkohet se çfarë të drejtash dhe detyrimesh marrin përsipër bashkia dhe subjektet private.

Top Channel