Tenis, Djokovic e Nadal, në raundin e katërt të Indian Wells

16/03/2016 11:40

Novak Djokovic vijon rrugëtimin e tij në turneun Masters të Indian Wells. Tenisti serb u kualifikua për në raundin e katërt të këtij aktiviteti pasi mundi në 2 sete Filip Kohlschreiber.

Tenisti gjerman i rezistoi si mundi numrit 1 të renditjes botërore, që në fund arriti t’i mbyllë setet 7-5 dhe 7-5. Kundërshtari i radhës për Djokovicin do të jetë spanjolli Feliciano Lopez.

Rafael Nadal realizon hakmarrjen ndaj Verdascos për eliminimin në raundin e parë në Australian Open. Tenisti spanjoll iu imponua bashkëkombasit të tij në raundin e tretë të Indian Wells, teksa e mundi 2-0. Seti i parë nuk pati histori pasi Nadal e fitoi atë 6-0. Në setin e dytë, Verdasco ia vështirësoi jo pak gjërat numrit 5 të botës, i cili gjithsesi e fitoi këtë fraksion me “tie break”: 7-6. Në raundin e katërt Nadal do të luajë me 18-vjeçarin Zverev, i cili eliminoi Gilles Simon.

U kualifikua për më tej edhe Kei Nishikori, i cili mundi amerikanin Steve Johnson 2-0. Japonezi hasi shumë vështirësi në këtë përballje, teksa i fitoi të dy setet me “tie break”: 7-6 dhe 7-6.

Top Channel