Prezantohet portali që njeh shqiptarët me ligjin

16/03/2016 00:00

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantoi sot portalin NjohLigjin.al, i cili u vjen në ndihmë qytetarëve të orientohen në peizazhin e gjerë ligjor, në fushat më me interes në jetën e tyre të përditshme.

Portali, i realizuar me fonde të qeverisë kanadeze, është pjesë e një pune më të gjerë për edukimin ligjor të publikut, që bëhet nga Prezenca e OSBE-së dhe që ka në bazë moton “Shteti i së drejtës fillon nga ti”. NjohLigjin.al është një tjetër kontribut praktik nga Prezenca e OSBE-së për të siguruar një reformë reale në sektorin e drejtësisë. Prezenca bashkëkryeson nëngrupin për edukimin ligjor të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.
 
Duke folur në prezantimin e kësaj platforme, zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së, Robert Ëilton, tha: “Mund të duket e mjaftueshme që teksti i ligjeve të jetë publikisht i disponueshëm, në mënyrë që njerëzit të mund ta lexojnë atë. Sidoqoftë, ashtu siç e di shumëkush nga ju që është përpjekur të lexojë dhe të kuptojë ndonjë prej këtyre teksteve, kjo gjë nuk është dhe aq e lehtë. Kur qytetarët e thjeshtë lexojnë një ligj ata çorientohen më shumë sesa sqarohen. Dhe thuajse në asnjë rast nuk zbatohet vetëm një ligj për një problem të caktuar, por, përkundrazi, bëhet fjalë për një tërësi tekstesh ligjore që duhen marrë parasysh. Ata prej jush që kanë formim ligjor kanë mësuar sesi të orientohen në këtë botë juridike, por shumica e njerëzve nuk e kanë këtë formim. Synimi i faqes “Njoh ligjin” është që t’i japë qytetarit të thjeshtë një mjet të ri veprimi për t’u orientuar në këtë peizazh ligjor. Gjithashtu, kjo faqe duhet parë edhe si një burim për organizatat e shoqërisë civile dhe klinikat e ndihmës ligjore që ofrojnë këshillim ligjor falas për qytetarët, sidomos për ata që mund të mos kenë akses në internet”. 
 
Konsulli i Nderit i Kanadasë në Shqipëri, Krenar Loloçi, i pranishëm në këtë veprimtari, foli për partneritetin e vijueshëm mes Kanadasë dhe Prezencës së OSBE-së në mbështetje të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Top Channel