Hamiltonin e trajtojnë si “plehrë” në kazino

16/03/2016 00:00

Lewis Hamilton ka përjetuar një aventurë të pafat në Zelandën e Re. Piloti britanik është përzënë nga kazinoja “Sky City” në Auckland, për shkak të veshjes së tij që ishte kundër kodit të aplikuar, gjë që britaniku nuk e ka pritur aspak mirë.

Të gjithë zemërimin e tij, kampioni i botës në Formula 1 e shprehu në rrjetin social Twitter, ku kishte shkruar mesazhin:

“Mos shkoni kurrë në kazinonë e Auckland. Aty më trajtuan si një plehrë. Nuk mund ta besoj që ishin kaq të paedukatë. Eksperienca më negative që kam kaluar ndonjëherë në kazino”.

Ky koment nuk qëndroi për shumë kohë, pasi Hamilton e fshiu atë. Megjithatë, drejtuesit e “Sky City” e mësuan rebelimin e 30-vjeçarit dhe iu kundërpërgjigjën Hamiltonit, sigurisht duke përdorur rrjetin Twitter.

“Na vjen keq që Lewis Hamilton nuk u argëtua në kazinonë tonë, – ishte përgjigjja e drejtuesve të “Sky City”. – Ne jemi krenarë që garantojmë një shërbim të shkëlqyer për klientën tanë. Duam të mësojmë nga Hamilton të gjitha detajet e asaj që i ndodhi”.

Por problemet për britanikun nuk u mbyllën me kaq. Policia neozelandeze ka nisur hetimet për kampionin e botës në Formula 1, pasi ai ka xhiruar veten teksa ishte mbi një motor, video të cilën e publikoi në profilin e tij në Snapchat.

Në Zelandën e Re nuk lejohet përdorimi i telefonëve celularë teksa drejton një mjet dhe, në rast thyerje të këtij rregulli, ka penalizim. Gjithsesi, për momentin, policia nuk ka ende prova që Hamilton e ka thyer këtë rregull.

Top Channel