Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, me tone të forta u kërkoi gjyqtarëve të distancohen nga kolegët e korruptuar, të japin vendime të drejta e ligjore, sepse tashmë askush nuk mund t’i mbrojë.
Manjani tha se reforma në drejtësi do të bëhet dhe se e gjithë politika është në një mendje që të bëjë kontrollin e imtësishëm të çdo gjykatësi.
Ky ishte mesazhi që manjani u dha gjykatësve pasi bëri akuza të forta për gjykatat, për mënyrën sesi vendosin për pronat. ‘Gjykata e Vlorës ka ikur në drejtim të paditur’, tha Manjani, i cili deklaroi se do niste një inspektim të përgjithshëm.
“Janë mijëra metra katrorë tokë publike e grabitur në bregdetin shqiptarë dhe gjykatat heshtin në rastin më të mirë ose e legalizojnë në rastin më të keq. Kjo është një situatë e papranueshme”, thotë Manjani.
Manjani akuzon direkt tre gjykata, por më rëndë është situata në Vlorë.
“U bëj thirrje gjykatave të republikës, në mënyrë të veçantë gjykatës së Vlorës, e cila për mua sot është në drejtim të paditur. Kam ndërmend të nisim një inspektim të përgjithshëm në atë gjykatë për të sqaruar njëherë e mirë këtë punë. Ka edhe raste sporadike në Durrës dhe deri diku edhe në Shkodër”, shtoi ai.
Akuza e dytë e Manjanit ka të bëjë me lirimin nga burgu të kriminelëve. Ministri e nis me Shkodrën.
“Precedenti Sokol Mjacaj vazhdon të zbatohet me të njëjtën përpimëri nga të njëjtat gjykata dhe pastaj çuditemi se përse ka vepra penale”, thotë ministri.
Manjani akuzon se gjykatat nuk janë të unifikuara në vendime dhe ka kritika të rënda edhe për Gjykatën e re administrative.
“I jep vetes të drejtë që të bëjë edhe punën e qeverisë, madje të bëjë edhe vlerësime për nëpunësit civilë. Si e vlerëson kjo gjykatë punën e nëpunësit? Ku e njeh? S’ka lekë thotë qeveria për të organizuar një tender, gjykata thotë ta bësh se dua unë, po ku t’i marrë lekët qeveria?!”, u shpreh Manjani.
Ministri u deklarua se është shqetësim shumë i madh mosnjohja e vendimeve nga gjykatat europiane për trafikantë e kriminelë shqiptarë që gjykatat këtu i lirojnë. Në fund Manjani u tregon gjykatësve mënyrën më të mirë për të bërë reformë.
“E gjithë politika në kor, nga A deri tek Zh ka një dakortësi. Ne nuk jemi dakort për shumë gjëra, por atë vetingun do ta bëjmë. Nisni të kuptoni që secili tashmë e ka kokën tek shpatullat e veta. Askush nuk ju merr më në mbrojtje. Askush!”, përfundoi Manjani.
Top Channel